Izraelitët dhe palestinezët protestojnë për paqe
Në rrugët e Nazaretit, aktivistë izraelitë dhe palestinezë mbanin etiketa ngjitëse që riprodhonin mbishkrimin “Press” të vendosur zakonisht mbi jelekët antiplumb dhe veshjet e tjera të gazetarëve, teksa protestonin për paqe në Gaza. Mesazhi i tyre: Gazetaria nuk është krim.
Një turmë njerëzish me etiketa ngjitëse, blu e të bardha, me mbishkrimin “Press”, që përdoren për të identifikuar gazetarët në zona të rrezikshme, u mblodh të premten në qytetin izraelit për të kërkuar t’i jepet fund luftës në Gaza, e cila ka marrë jetën e gati 200 gazetarëve, ndër dhjetëra mijëra viktima të tjera. Disa mbanin fotografi të gazetarëve palestinezë të vrarë.
“Mos e vrisni të vërtetën”, shkruhej në një pankartë që mbanin protestuesit. Disa godisnin tenxhere bosh për të simbolizuar urinë në Rripin e Gazës dhe për të protestuar kundër vrasjes së gazetarëve.
Mariam Dagga, 33-vjeçare, e cila bashkëpunonte si ‘freelancere’ me Associated Press, ishte mes viktimave të luftës. Ajo dhe katër gazetarë të tjerë u vranë më herët këtë javë kur forcat izraelite goditën Spitalin Nasser në qytetin Khan Younis të Gazës, ku humbën jetën edhe 17 persona të tjerë.
