Anton Quni rrëfen: Si Agim Ramadani i siguronte armët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Njëri nga komandantët e betejës së Koshares, nënkryetari dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni ka sjellë një rrëfim nga ditët e përgatitjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke ndarë një histori që dëshmon shpirtin luftarak dhe lidershipin e komandantit Agim Ramadani.

Sipas tij, gjatë përgatitjeve para hyrjes në Kosovë, një nga ushtarët e Ramadaniut ishte ankuar për gjendjen e pushkës së tij AK-47. Pa hezitim, Agimi ia mori armën ushtarit dhe ia dhuroi atij pushkën e vet, që ishte në gjendje më të mirë. Me vendosmëri, ai i tha ushtarit: “Me këtë pushkën tënde, unë do t’ja marr armikut një pushkë më të mirë!”

Ky premtim u bë realitet në Betejën e Zharës, ku njësia e udhëhequr nga Agim Ramadani u përball me Brigadën e 63-të të parashutistëve serbë. Pikërisht aty, ai arriti të siguronte një nga armët më të avancuara të kohës, një Vector 5,56mm duke e kthyer sakrificën dhe vendosmërinë e tij në fitore të vërtetë për shokët e luftës.

Kjo ngjarje, sipas Anton Qunit, dëshmon qartë jo vetëm trimërinë e Agim Ramadanit, por edhe kujdesin e tij të veçantë për çdo ushtar duke e vënë gjithmonë interesin e shokëve të luftës mbi të vetin. /Kosova.info/

Go to TOP