Abdixhiku nga Klina: Ndryshimi nis nga një votë, Arben Limanaj është kandidati i ndershëm dhe vizionar për qytetin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë sonte në një takim mobilizues në Klinë, ku u shoqërua nga anëtarë të LDK-së dhe qytetarë të shumtë, në mbështetje të kandidatit për kryetar të komunës, Arben Limanaj, dhe listës për asamble komunale.
Abdixhiku theksoi se lidhja e krijuar mes anëtarësisë, qytetarëve dhe LDK-së është një lidhje e fortë në vlera e bindje parimore, që i shërben të ardhmes përtej gjendjes aktuale. Ai vlerësoi kandidatin Limanaj si një njeri të ndershëm, punëtor dhe të përkushtuar, me rrënjë të thella në Klinë dhe me vizion të qartë për zhvillimin e saj.
“Arbeni nuk vjen nga politika e improvizimeve; ai vjen nga përvoja e jetës së përditshme të qytetarëve, nga problemet që i njeh mirë dhe nga dëshira për t’i zgjidhur ato. Ai nuk e sheh këtë garë si karrierë personale, por si një mision për të ndërtuar një qytet më të zhvilluar, më të drejtë, më të barabartë,” tha Abdixhiku.
Duke folur për besimin e qytetarëve në politikë, Abdixhiku pranoi se shumë prej tyre ndihen të zhgënjyer, por theksoi se ndryshimi është i mundur.
“Ndryshimi nis nga një votë. Një votë që bën dallim, që i sjell kandidatët tanë si prijës, që e sjell LDK-në më të fortë, që e sjell Kosovën më pranë normales,” u shpreh ai nga Klinë. /Kosova.info/
