Policia parandalon kontrabandën e 40 kecave në Domorovc
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast kontrabande në Domorovc, duke sekuestruar 40 keca të paidentifikuar dhe duke ndaluar shoferin e dyshuar.
Policia e Kosovës njofton se njësitë kufitare nga SPMK–Muqivërc, kanë ndërmarrë veprime taktike operative pas pranimit të informatave, duke rezultuar në parandalim te një rasti të kontrabandës në fshatin Domorovc.
Policia bën të ditur se gjatë operacionit është ndaluar automjeti me targa vendore, i cili drejtohej nga një person i dyshuar mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të automjetit, janë gjetur 40 krerë kafshë të imëta (keca), vlera e të cilave llogaritet rreth 6,000 €, për të cilat i dyshuari nuk kishte prezantuar asnjë dokument përkatës.
“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar me udhëzim të të cilit inicohet rasti, ndërsa kafshët janë dorëzuar në doganën kompetente”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të krimit, përfshirë edhe kontrabandën, dhe falënderon qytetarët për bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm. /Kosova.info/

