Policia në Veri intensifikon luftën kundër kontrabandës me njerëz
Urat e reja që lidhin Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut janë në prag të përfundimit në aspektin e infrastrukturës. Ndërkohë që qytetarët e kanë mirëpritur këtë duke thënë se u mundësohet një qasje më e lehtë në të dyja anët, në qytet janë shpërndarë afishe në gjuhën serbe duke bërë thirrje për vendosje të flamujve në serb në çdo vend. Ndërkaq në Jarinjë, Policia e Kosovës ka ndaluar migrantë që po lëviznin paligjshëm nga territori i Kosovës.
Mbrëmjen e së dielës në veri t ë Mitrovicës janë shpërndarë fletushka në gjuhën serbe me thirrje për ‘rezistencë’, duke u bërë thirrje serbëve të vendosin flamuj serbë në hapësira publike. Zëvendësdrejtori i stacionit policor për veriun, Veton Elshani, tha për RTK se nuk është iniciuar rast për këtë çështje.
“Jemi konsultuar me prokurorë dhe sipas tij nuk ka pasur ndonjë element për inicim të rastit. Situata paraqitet të jetë e qetë, stabile, por delikate duke marrë parasysh zhvillimet politike që po ndodhin. Ajo që është me rëndësi është që Policia e Kosovës ka qasje në çdo vend dhe çdo informacion që kemi mund ta trajtojmë ashtu siç parashihet”, tha Elshani.
Fletushka të tilla me thirrje nacionaliste serbe janë shpërndarë edhe më herët në veri të Mitrovicës.
Ndërkohë në veri, të dielën, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë, gjatë kontrollit të një autobusi të linjës Mitrovicë-Beograd, janë zbuluar 18 migrantë të paligjshëm.
Të dielën Policia e Kosovës, përkatësisht njësiti për reagim të shpejtë, ka parandaluar një tentim kontrabandimi me migrantë të cilët kishin tentuar që ilegalisht ta kalojnë pikën kufitare Kosovë Serbi, përkatësisht në Jarinjë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se 18 migratët e huaj janë 5 palestinezë, 6 nga Bangladeshi dhe 7 egjiptianë.
Nga verifikimi i dokumenteve rezulton se: 5 shtetas palestinezë kishin hyrë në Kosovë me pasaporta jordaneze përmes Aeroportit të Prishtinës më 23.08.2025; 6 shtetas nga Bangladeshi posedonin viza pune, por ishin subjekt i vendimeve për largim nga Kosova; 7 shtetas egjiptian kishin hyrë në Kosovë përmes Shqipërisë . Tutje në njoftimin e Policisë thuhet se ata janë trajtuar sipas procedurave ligjore nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj
Policia thekson përkushtimin në luftën kundër migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës me njerëz.
