VLEN: BDI e fshiu diasporën shqiptare nga regjistrimi i popullsisë

Koalicioni opozitar shqiptar VLEN ka ngritur akuza të ashpra ndaj BDI-së, duke e cilësuar regjistrimin e popullsisë të vitit 2021 si një proces të manipuluar dhe të dëmshëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Sipas VLEN-it, qeveria e atëhershme e udhëhequr nga BDI, përmes ligjit dhe metodologjisë së miratuar për regjistrimin, ka përjashtuar diasporën shqiptare, duke deformuar në mënyrë të qëllimshme të dhënat reale dhe duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucione.

“BDI është vula e turpit kombëtar. Ata shkruan, propozuan dhe votuan modelin dhe metodologjinë e regjistrimit që zhvlerësoi numrat, përjashtoi diasporën dhe shkeli të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve. Ky nuk ishte një gabim i rastësishëm, BDI e krijoi këtë problem vetë”, thuhet në deklaratën e VLEN-it.

VLEN thekson se figura të larta të BDI-së, përfshirë Ali Ahmetin, Bujar Osmanin, Artan Grubin, Ilmi Selamin, Blerim Bexhetin dhe zyrtarë të tjerë, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për miratimin e Ligjit të Regjistrimit në Kuvend.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se shumë fshatra në rajonin perëndimor të vendit janë regjistruar vetëm me 30 deri në 50 për qind të popullsisë reale, ndërsa ministrat e BDI-së, sipas VLEN-it, ishin më të përkushtuar ndaj interesave private të të afërmve të tyre sesa ndaj mbarëvajtjes së një regjistrimi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

“BDI nuk mund të paraqitet si zgjidhëse e një problemi që e ka krijuar vetë. Koha e manipulimeve ka përfunduar tashmë ka nisur koha e të drejtave të barabarta”, vijon më tej deklarata.

VLEN njofton se ka nisur një iniciativë për të kërkuar përgjegjësi institucionale dhe ligjore ndaj të gjithë atyre që kanë qenë të përfshirë në, siç e cilëson, një “regjistrim skandaloz” që ka sjellë pasoja serioze për përfaqësimin dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. /Kosova.info/


Go to TOP