Demi: Kaos në shëndetësinë publike – pacientët orientohen nga pacientët, ndërsa stafi rri në muhabet
Agron Demi nga Instituti GAP ka bërë një krahasim të ashpër mes shërbimeve shëndetësore private dhe atyre publike në Kosovë duke theksuar kontrastet e mëdha që prekin drejtpërdrejt pacientët.
Ai thotë se në spitalet private pacientët shoqërohen e orientohen nga personeli gjatë gjithë procesit të trajtimit, ndërsa në spitalet publike ata lihen të sillen nëpër korridore e dhoma duke u informuar vetëm nga pacientë të tjerë, gjë që krijon kaos.
Demi shton se në sektorin privat hapësirat menaxhohen sipas nevojave, ndërsa në publik edhe kur një dhomë është e mbingarkuar me shërbime – si ajo e infuzioneve – menaxhmenti nuk ndërhyn për të shtuar shtretër duke i lënë pacientët të shtyhen për vend, ndërkohë që hapësira të tjera mbeten të pashfrytëzuara.
Një tjetër problem i madh, sipas tij, është mungesa e medikamenteve bazë në spitalet publike. Pacientët detyrohen t’i blejnë edhe gjërat më elementare, si një pajisje që kushton vetëm 20 cent në barnatore, pa të cilën shërbimi nuk mund të kryhet. Për më tepër, pacientët shpesh duhet të shoqërohen nga familjarë që kujdesen për blerjen e barnave, monitorimin e infuzionit dhe madje edhe heqjen e kanilës, pasi askush nuk e bën këtë në institucionin publik.
Demi thekson gjithashtu se sistemet e alarmit për thirrjen e stafit në rast urgjence janë shpesh të prishura, ndërsa sjellja e një pjese të stafit në publik është çnjerëzore, me disa përjashtime.
“Po, në privat paguan, por edhe në publik paguan – indirekt me taksa, e direkt me blerje barnash dhe me shkërdhim nervash,” shkruan Demi. Ai përfundon se shumica e këtyre problemeve do të zgjidheshin me një menaxhim më të mirë, me drejtorë që qëndrojnë në korridore duke monitoruar punën, në vend se të sillen si “shefa”. /Kosova.info/
