Haziri sulmon qeverisjen lokale në Gjilan: Ke lënë pa paga qindra familje, mashtrimet përfundojnë më 12 tetor”
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, ka akuzuar qeverisjen aktuale komunale për mashtrime, manipulime dhe trajtim selektiv të punëtorëve.
Në një reagim të ashpër, Haziri tha se më 12 tetor, kur qytetarët do të votojnë, do t’u jepet fund padrejtësive që po u bëhen qindra familjeve në Gjilan.
“‘O bir’ i shokëve të skutave politike që i lë pa paga qindra familje në Gjilan, mashtrimet dhe manipulimet përfundojnë më 12 tetor,” ka deklaruar Haziri.
Ai kritikoi ekzekutivin e Komunës për mosrespektim të obligimeve ligjore duke përmendur se mbi 100 punëtorë me kontrata në vepër janë në pasiguri, ndërsa 46 punëtorë shëndetësorë të QKMF-së, përfshirë mjekë dhe infermierë, kanë mbetur pa paga për muaj të tërë.
Gjithashtu, Haziri theksoi se mbi 300 punëtorë të angazhuar në NPL “Tregu” nuk kanë marrë pagat për dy muaj rresht.
“Ligji ju obligon të jeni i drejtë, por ju keni zgjedhur të jeni selektiv dhe polarizues. Keni lënë pa rroga qindra familje në Gjilan dhe po vazhdoni të mashtroni e manipuloni si ‘o bir’ i shokëve të skutave politike. Kjo është e pafalshme,” u shpreh Haziri.
Ai shtoi se me kandidatin e LDK-së për kryetar, Arbër Ismajli, qytetarëve dhe punëtorëve do t’u rikthehet dinjiteti.
“Me Arbrin, më 12 tetor këtyre punonjësve dhe të gjithë qytetarëve pa përjashtim do t’u kthehet dinjiteti,” tha Haziri. /Kosova.info/
