Arrestohet në Shtime 69-vjeçari për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje

Policia e Kosovës ka arrestuar një person 69-vjeçar në Shtime, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, si dhe është kapur me armë zjarri pa leje.

Sipas raportit policor, rreth orës 11:10, policia ka pranuar informacionin se dy femra (nënë e bijë) janë sulmuar fizikisht nga i dyshuari. Viktimat kanë marrë tretman mjekësor në Shtime.

Gjatë kontrollit, nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë gjahu me 12 fishekë.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, pas intervistimit nga hetuesit policorë, 69-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tij janë iniciuar procedura penale për:

  • “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”,
  • “Dhunë në familje”, dhe
  • “Lëndim i lehtë trupor”.

Policia ka theksuar se mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe parandalimin e përdorimit të armëve pa leje, duke ftuar qytetarët që çdo rast të tillë ta raportojnë menjëherë. /Kosova.info/


Go to TOP