Prishtina dhe Fushë Kosova investojnë në infrastrukturën e ujërave

Janë nënshkruar marrëveshjet të kontributit për projektin “Climate Appropriate Urban Development: Sewage Prishtina (incl. Sewage I/II)” për komunën e Prishtinës dhe atë të Fushë Kosovës.

Projekti me vlerë totale prej 53 milionë eurosh, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pritet të sjellë ujëra dhe lumenj më të pastër, një mjedis më të shëndetshëm dhe përfitime të prekshme për 40 për qind të popullsisë së Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama,  ka deklaruar se ky projekt është më shumë se infrastrukturë, duke e cilësuar si një investim në dinjitetin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

“Ky projekt prek jetën e përditshme të mijëra qytetarëve: nga lumenjtë që duam t’i kthejmë në pasuri publike e te shëndeti që sot vuan nga pasojat e infrastrukturës së munguar”, ka theksuar ai.

Sipas tij, projekti është fryt i një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm mes Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’ si agjenci zbatuese, që do të sigurojë menaxhim transparent dhe efikas mes Komunës që do ta lehtësojë çdo hap administrativ dhe mes partnerëve ndërkombëtarë si Kfw, që sjellin ekspertizë dhe financim të nivelit më të lartë.

Kurse, nënkryetari i Fushë Kosovës, Besnik Osmani, e cilësoi projektin si vendimtar për komunën.

“Ky do të jetë një projekt, i cili nuk do të zgjasë më shumë se 36 muaj. Ajo që është më e rëndësishme në këtë projekt është edhe pjesa e ambientit miqësor për qytetarët. Do të na krijojë një ambient më miqësor edhe për qytetarët”, ka theksuar ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde,  ka deklaruar se marrëveshja e komunave në vlerë prej 11 milionë eurosh është një hap i madh për ujërat e pastra dhe shëndetin publik.

“Për shumë kohë, ujërat e zeza të rajonit të Prishtinës kanë rrjedhur të patrajtuara në lumenjtë e Kosovës. Lumenjtë kryesorë, në veçanti, kanë vuajtur nga ndotja e rëndë, duke rrezikuar si shëndetin publik ashtu edhe burimet ujore. Projekti ynë i përbashkët do ta ndryshojë këtë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, me ndërtimin e një impianti modern për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, Kosovë, i projektuar për të shërbyer ekuivalentin e 350,000 banorëve, ne do të bëjmë një hap vendimtar drejt ujërave më të pastra dhe një mjedisi më të pastër.

“Krahas kësaj, granti prej 42 milionë eurosh i Gjermanisë, i ofruar nga Ministria gjermane e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit, BMZ, Kfw, do të ndihmojë në ndërtimin dhe rehabilitimin e kolektorëve kryesorë të Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit si dhe në modernizimin e rrjetit në zonat kritike të Prishtinës, duke përfshirë ndarjen e ujërave të shiut nga ujërat e zeza. Kjo është vërtet një përpjekje e përbashkët. Ne, ju, qeveria gjermane, BMZ, Kfw, Thesari Francez, AFD, Korniza e Ballkanit Perëndimor, qeveria e Kosovës dhe tani komunat e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, të gjithë po punojmë së bashku. Rezultatet do të jenë të prekshme. 40 për qind e popullsisë së Kosovës, nëpër shtatë komuna, do të përfitojnë drejtpërdrejt”, ka deklaruar ai.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arsim Fetahu, bëri të ditur se projekti nuk do të përfshijë vetëm Prishtinën dhe Fushë Kosovën, por edhe komunat e Graçanicës, Obiliqit dhe Podujevës.

“Ky projekt i ujërave të zeza është një projekt i rëndësishëm që do të bëjë zgjidhje për banorë që do të ndikojë në krijimin e kushteve më të mira për këta banorë. Ky projekt, në aspektin teknik, nënkupton pastrimin dhe në fund, me anë të impiantit, mundësinë që uji i pastruar të derdhet në lumin”, ka theksuar ai.


Go to TOP