Deliu-Kodra: Nuk kemi votë për Haxhiun dhe asnjë ministër nga Qeveria Kurti

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra tha se sërish do të votojnë kundër që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit. Deliu potencoi se PDK-ja nuk do ta votojë asnjë emër të propozuar që ka qenë ministër gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

Ndërkaq, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Deliu-Kodra tha se duhet respektuar dhe as mos të vihet në dilemë shpallja e tyre, transmeton KosovaPress.

Deliu-Kodra: Do të votojmë kundër Haxhiut dhe çdo ministri

“Vendi duhet të mësohet sidomos përfaqësuesit publik, sidomos ata që janë të veshur me votë e besim të qytetarëve që aktgjykimet e tilla as që të mos vihen në dilemë. Është detyrim kushtetues i Republikës së Kosovës…Kosova sot ka probleme shumëfish më të mëdha se a do të zgjidhet zonja Haxhiu apo jo kryetare e kuvendit…Ne kemi votuar 5 herë kundër zonjës Haxhiu. PDK ka refuzuar të bëhet shkelëse e Kushtetutës dhe këtë thirrje e kemi bërë në mënyrë të përsëritur duke kërkuar që një votim që bie ndesh me Kushtetutën që mos të jetë pjesë e seancave të përsëritura. Do të marrim pjesë në votim, ashtu siç kemi votuar kundër zonjës Haxhiu. Nuk do të kemi votë për zonjën Haxhiu dhe asnjë ministër të qeverisjes Kurti, sepse konsiderojmë që janë përgjegjës për degradimin 5 vjeçar të Kosovës”, tha Deliu Kodra.

Pas tri javësh sot do të vazhdojë seanca konstituive të cilës i parapriu publikimi i plotë i aktgjykimit për ngërçin politik në vend nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas këtij aktgjykimi brenda 30 ditësh duhet të ndodh konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe emri i kandidatit apo kandidates së propozuar për kryeparlamentar nuk mund të votohet më shumë se tri herë.

Go to TOP