Infiltrim i mundshëm i shteteve të huaja (Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse) me qëllim krijimin e një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit në Kosovë
Një dokument i përgatitur dhe dërguar në Ministrinë e Jashtme Kroate për diskutime, i njohur si “Non-Paper” i publikuar nga hulumtuesi kroat Josip Kovaqiq, ka hedhur dritë mbi infiltrimet e jashtme që ndikojnë në proceset socio-politike në Kosovë dhe Shqipëri duke theksuar disa përpjekje dhe strategji që synojnë ndryshime të rëndësishme në rajon. Ky dokument vë në dukje lidhjet e mundshme mes disa projekteve të diskutueshme që janë në zhvillim dhe ndikimin e tyre në dinamikat e brendshme të këtyre dy vendeve. Dokumenti i dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë dhe publikuar nga Profesori kroat Josip Kovaqiq ne platformën shkencore Akademika Edu tregon një kërcënim serioz gjeopolitik në rajonin e Ballkanit, i cili i referohet infiltrimit të mundshëm të vendeve të huaja, si Republika e Serbisë dhe Federata Ruse, në strukturat politike dhe shoqërore të Kosovës.
Transformimi i Manastirit te Deçanit ne mikroshtet ortodoks sipas modelit të mikroshtetit të propozuar Bektashi në Tiranë.
Dokumenti i dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë për diskutim të brendshëm, me datën 9 shtator 2024 paralajmëron për një kërcënim serioz nga vendet e huaja që po përpiqen të përdorin dinamikën gjeopolitike të Ballkanit për të arritur qëllimet e tyre. Krijimi strategjik i një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit.
Një prej çështjeve që ka tërhequr vëmendjen është propozimi për krijimin e një “mikroshteti bektashi” në Tiranë. Ky projekt ka shkaktuar shqetësime të shumta, pasi përveç se lidhet me zhvillimin e besimeve të caktuara fetare, ai mund të krijojë një qendër me ndikim të madh social dhe politik në Shqipëri. Ky “mikroshtet” ka si qëllim të forcojë ndikimin e grupeve të caktuara fetare në shtetin shqiptar dhe, në një kuptim më të gjerë, të rrisë influencën e shteteve të huaja që mbështesin këto grupe.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm që trajtohet në dokument është plani për krijimin e një mikroshteti në Manastirin e Deçanit, një projekt që është shpesh i lidhur me synime të mundshme për zgjerimin territorial të këtij manastiri me 24 hektarë tokë përreth. Ky veprim ka shkaktuar shqetësime jo vetëm për ndjeshmërinë fetare, por edhe për pasojat që mund të ketë për kufijtë dhe administrimin e territoreve të Kosovës. Këto plane duket se janë pjesë e një strategjie më të gjerë, e cila synon të intensifikojë ndikimin e elementëve të huaj dhe të forcojë pozitat e grupeve fetare me qëllime gjeopolitike.
Zgjerimi territorial me 24 hektar të Manastirit të Deçanit
Pjesa më e ndjeshme e këtij plani është zgjerimi i territorit të Manastirit të Deçanit me 24 hektarë tokë, një lëvizje që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ky zgjerim mund të shërbejë si një “zonë e shenjtë” e cila do të konsolidohej si “territor shtetëror i Manastirit “. Një element i rëndësishëm që lidh këtë zgjerim me strategjinë e përgjithshme është se Manastiri i Deçanit mund të shndërrohet në një “mikroshtet” ortodoks që shtrihet në një territor të ri, i cili nuk është nën kontrollin e Kosovës. Ky projekt mund të jetë një përpjekje për të rritur ndikimin e Serbisë në Kosovë duke përdorur si mjet një strukturë fetare dhe të ngulitur thellë në historinë dhe kulturën e vendit.
Hapi i parë në realizimin e këtij plani gjeopolitik përfshin krijimin e një province autonome “katolike” në Kosovën perëndimore, si një “justifikim për shumicën shqiptare” për realizimin e një mikroshteti ortodoks rreth Manastirit të Deçanit.
Hapi i parë në realizimin e këtij plani gjeopolitik përfshin krijimin e një province autonome “katolike” në Kosovën perëndimore, në rajone të tilla si Rrafshi i Dukagjinit, ku tashmë ka një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve katolikë. Sipas këtij propozimi, komunitetet katolike në Kosovë duhet të marrin një status të veçantë autonom brenda shtetit, bazuar në karakteristikat e tyre kulturore dhe fetare. Për aktorët e jashtëm, siç janë Serbia dhe Federata Ruse, mbështetja e nismave të tilla përfaqëson një mundësi për të arritur qëllime politike afatgjata në Ballkan. Domethënë, krijimi i autonomisë për shqiptarët katolikë jo vetëm që do të minonte sovranitetin e Kosovës, por do të hapte edhe derën për manipulime të mëtejshme politike në rajon, me qëllim forcimin e ndikimit të këtyre vendeve në proceset politike në Evropën Juglindore.
Në të njëjtën linjë, dokumenti përmend edhe një projekt që ka të bëjë me nevojën e konvertimeve në besimet kristiane të kosovarëve myslimanë duke përdorur si mjete organizata hibride (nuk permenden me emra por aludohet ne etnitete si “Lëvizja e Deçanit” ). Ky projekt, i mbështetur nga faktorë të jashtëm, ka për qëllim transformimin e identitetit fetar dhe kulturor të grupeve të caktuara duke promovuar një politikë të konvertimeve për të krijuar një lëvizje të fuqishme përmes besimit kristian. Krijimi strategjik i një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit nga aktorë të huaj, përfshirë Serbinë dhe Rusinë, përfaqëson një sfidë për stabilitetin e Kosovës dhe të rajonit në tërësi. Në të njëjtën kohë, organizatat hibride, të cilat manipulojnë identitetet dhe strukturat shoqërore, bëhen një instrument kyç për arritjen e këtyre qëllimeve. Bazuar në këta faktorë, është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare dhe vendet fqinje, si Kroacia, të veprojnë në mënyrë parandaluese dhe të koordinuar në mënyrë që të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve dhe të sigurojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Vetë ideja e autonomisë bazohet në supozimin se komunitetet katolike në Kosovën perëndimore, të cilat kanë një histori të gjatë dhe një traditë të fortë kulturore dhe fetare, meritojnë një status të veçantë. Përveç kësaj, mbështetja nga aktorë të caktuar politikë brenda vetë Shqipërisë, por edhe jashtë saj, gjithashtu kontribuon në këtë iniciativë. Megjithëse autonomia do të promovohej si një hap “natyror” drejt të drejtave më të mëdha për pakicat dhe komunitetet fetare, ky propozim mbart qëllime më të thella politike dhe gjeopolitike duke përfshirë zvogëlimin e ndikimit të popullsisë shumicë myslimane në Kosovë dhe riformësimin e dinamikës politike brenda vetë shtetit.
Pas vendosjes së autonomisë, hapi i dytë në këtë plan është krijimi i një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit, i cili do të bëhej qendra politike dhe kulturore e njësisë së re politike të pavarur. Manastiri i Deçanit, si një pikë kyçe fetare dhe kulturore për ortodoksët serb në Kosovë, ka rëndësi historike dhe fetare të rrënjosur thellë. Lidhja e tij me procesin e krijimit të një njësie të re politike mund të ketë pasoja të gjera për stabilitetin politik dhe shoqëror në Kosovë, por edhe në Ballkanin e gjerë.
Kosova do të përballej me sfida të reja në ruajtjen e integritetit të saj territorial, dhe mikroshteti i ri do të ngrinte pyetje serioze në lidhje me kufijtë, sovranitetin dhe të ardhmen politike të rajonit. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptohet se inkurajimi i krijimit të entiteteve të reja politike të bazuara në autonomi fetare dhe etnike mund të hapë hapësirë për iniciativa të ngjashme në pjesë të tjera të Ballkanit, të cilat mund të shkaktojnë mosmarrëveshje dhe konflikte të mëtejshme politike.
Duke marrë parasysh seriozitetin e situatës dhe kërcënimet e mundshme që paraqet zbatimi i këtij plani, është e nevojshme që bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet fqinje, të reagojnë në mënyrë parandaluese në mënyrë që të ruajnë stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm politik dhe shoqëror, i cili mund të çojë në konflikte të reja dhe të kërcënojë sigurinë e të gjithë rajonit. Ky propozim për krijimin e një province autonome katolike në Kosovën perëndimore dhe krijimin pasues të një mikroshteti rreth Manastirit të Deçanit paralajmëron për një plan serioz gjeopolitik që ka potencialin të destabilizojë thellësisht Ballkanin. Edhe pse të drejtat e pakicave dhe liria fetare shpesh përdoren si motiv, pas këtij propozimi qëndron një qëllim më i gjerë gjeopolitik i aktorëve të huaj që duan të ushtrojnë ndikimin e tyre politik në Ballkan.
Ky dokument ofron një vështrim të thellë mbi ndihmën që përfituesit e këtyre projekteve të huaja mund të kenë në zhvillimet e brendshme të Kosovës dhe Shqipërisë duke pasur parasysh se këto procese mund të kenë ndikime të thella në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Duket se ka një përpjekje për të krijuar një realitet të ri politik dhe fetar në këtë pjesë të Ballkanit, i cili mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e këtyre shteteve.
Përkthyer dhe përshtatinë shqip nga gjuha serbokroate: Besnik Berisha
Burimi i dokumentit : https://independent.academia.edu/JosipKovacic
