Prishtina 2030: Fillon rruga drejt Lojërave Mesdhetare
Kryeqyteti i Kosovës po hyn në një kapitull të ri historik me përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, zhvilluan sot takimin e parë për funksionalizimin e Komitetit Organizues të Lojërave Mesdhetare (OCMG).
Ky hap shënon fillimin e punës së koordinuar për të sjellë në Prishtinë një ngjarje madhore sportive dhe kulturore, e cila pritet të vendosë kryeqytetin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
“Me mbështetjen e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ne jemi të përkushtuar të punojmë me profesionalizëm, efikasitet dhe vizion. Ky projekt nuk është vetëm për sportin, por një mundësi për zhvillim urban, promovim kulturor dhe për të treguar mikpritjen dhe potencialin e qytetit tonë”, deklaroi Përparim Rama.
Lojërat Mesdhetare 2030 priten të sjellin përfitime të mëdha për Prishtinën dhe Kosovën, duke hapur rrugën për zhvillim ekonomik, turizëm, kulturë dhe sport.
Prishtina është gati të mirëpresë botën mesdhetare në vitin 2030! /Kosova.info/
