Avdyli, kandidat i LDK-së për Kuvendin Komunal të Prishtinës: Do të jem zë i qartë dhe i pranishëm për çdo qytetar

Shpend Avdyli, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal të Prishtinës me numrin 37, ka shpallur publikisht angazhimin e tij politik duke theksuar përvojën dhe përkushtimin ndaj vlerave rugoviste.

“Jam rritur dhe formuar politikisht brenda LDK-së – nga Forumi i Rinisë, ku mora hapat e parë, deri te detyra që ushtroj sot, si Sekretar i Përgjithshëm i Degës së 3-të, Dega e Presidentit Rugova. Ky rrugëtim nuk është thjesht karrierë – është besim dhe përkushtim ndaj vlerave që e kanë bërë Prishtinën model të qytetarisë dhe demokracisë”, ka deklaruar Avdyli.

Gjatë mandatit të kaluar, ai ka shërbyer si këshilltar politik i kryetarit Përparim Rama për çështjet e personave me nevoja të veçanta, përvojë që e ka bërë, siç thotë, ta kuptojë se një qytet i drejtë matet me kujdesin ndaj njerëzve më të ndjeshëm të tij.

Në këtë garë, Avdyli premton të jetë një përfaqësues aktiv, i pranishëm në çdo debat dhe i palodhshëm në kërkimin e zgjidhjeve.

“Qyteti ynë meriton një qeverisje ambicioze, profesionale dhe vizionare. Me votën dhe besimin tuaj, unë do të jem përfaqësuesi dhe zëri juaj në Kuvendin Komunal të Prishtinës”, ka shtuar ai. /Kosovainfo/


Go to TOP