Merz: Presim që Putin të marrë seriozisht ofertën për dialog të Trump-it
Kancelari gjerman Friedrich Merz, pas takimit ‘virtual’ me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenskyy, deklaroi se vendet e BE-së presin që presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën për dialog të presidentit Trump dhe, pas takimit në Alaskë, të nisë negociata pa kushte me Ukrainën.
Merz, më tej shtoi se tre vjet e gjysmë pas sulmit të paligjshëm ndaj Ukrainës, Rusia sot ka mundësinë të pranojë një armëpushim dhe të përfundojë armiqësitë, derisa shtoi se liderët e BE-së presin që presidenti Putin ta marrë seriozisht ofertën për dialog të presidentit Trump dhe, pas takimit në Alaskë, të nisë negociata pa kushte me Ukrainën.
“Gjatë ditëve të fundit, Gjermania, duke qëndruar në krah të Ukrainës dhe aleatëve evropianë, ka përcaktuar rrugën drejt një paqeje që mbron interesat themelore të sigurisë së Evropës dhe të Ukrainës. Synimi duhet të jetë një samit ku të marrë pjesë edhe Presidenti Zelenskyy. Në këtë samit duhet të arrihet një armëpushim. Ukraina ka nevojë për garanci të forta sigurie. Çështjet territoriale mund të zgjidhen vetëm me marrëveshjen e ukrainasve”, ka shkruar Merz në një postim në ‘X’.
Tutje ai vuri në dukje se liderët e BE-së qëndruan të bashkuar kur ia përcollën mesazhet të qarta presidentit Trump para se të nisej për në Anchorage.
“Unë jam ende në kontakt me të. Presidenti Trump tani mund të ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Ai meriton falënderime për këtë nismë dhe për koordinimin e ngushtë gjatë ditëve të fundit. Gjatë bisedimeve tona të fundit, ne, partnerët evropianë, ia konfirmuam mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën. Presidenti Trump mund të mbështetet tek ajo”, ka shkruar Merz në ‘X’.
