Drita eliminohet nga Europa League, vazhdon në Conference League
Drita ka përfunduar aventurën në Europa League, pasi është mposhtur 1-3 nga FCSB në ndeshjen e dytë të raundit të tretë të kualifikimeve, e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Skuadra rumune e ka nisur ndeshjen më mirë, duke shënuar që në minutën e parë me kokë përmes Juri Cisottit, ndërsa në minutën e tetëmbëdhjetë David Miculescu e ka dyfishuar rezultatin.
Drita është rikthyer në lojë me golin e Tushës shtatë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, por shpresat për përmbysje janë shuar në minutën e tetëdhjetë e pestë, kur Politic ka realizuar golin e tretë për FCSB-në.
Pas humbjes 3-2 në ndeshjen e parë në Rumani, Drita kishte nevojë për fitore për të kaluar tutje, por rezultati i kombinuar 6-3 në favor të FCSB-së i ka dhënë fund rrugëtimit të skuadrës nga Gjilani. Tash Drita do të vazhdojë në Conference league, ku në “paly off” do të përballet me Differdangen e Luksemburgut.
