Subjekti politik “Ideal” i Nuredin Lushtakut i bashkohet PDK-së në Skënderaj
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se subjektit politik “Ideal” i është bashkuar PDK-së në Skënderaj. Ky subjekt ka vepruar për vite me radhë në këtë komunë nën udhëheqjen e njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjeneral Nuredin Lushtaku.
Sipas Tahirit, pjesë e “Ideal”-it kanë qenë shumë gra e burra me kontribut të çmuar e të pandërprerë për Skënderajn dhe Kosovën. Nga sot, këto personalitete bëhen pjesë e PDK-së, ndërsa subjekti “Ideal” përmbyll veprimtarinë e tij politike. Në zgjedhjet e 12 tetorit, ata do të mbështesin kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtakun.
Në aktivitetin e sotëm, përveç Tahirit, morën pjesë edhe deputeti Përparim Gruda dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti. Abelard Tahiri i uroi mirëseardhje gjeneralit Nuredin Lushtaku në PDK duke theksuar se ky bashkim do të forcojë më tej radhët e partisë në Skenderaj. /Kosova.info/
