LVV dhe Albin Kurti nuk duket se kanë të ardhme pa u reformuar
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Një dhënie e dobishme në ekonomi e biznes është “pyete klientin tënd më të pakënaqur nëse dëshiron me mësu diçka dhe me u përmirësu”.
Në këtë frymë, si ish votues i LVV-së dhe Kurtit në 2021 (për reforma e ndryshime pozitive) vota ime u humb për LVV kur ata harruan reformat që premtuan dhe filluan me i acaru marrëdhëniet e Kosovës me aleatët tradicionalë që e kishin çliruar Kosovën dhe kishin qenë thelbësorë me shpallë pavarësinë dhe me i ndërtu institucionet e shtetit. Me ata që po e ruajnë kufirin, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës qe 26 vite.
E besimi filloi me u dëmtu rëndë kur politikat e papërshtatshme dhe të gabuara ekonomike filluan me i stimulu dhe vendosë si prioritet popullizmin dhe vendimet elektorale për vota, në vend se të veprimeve cilësore dhe të qëndrueshme në politikat ekonomike për të mirën e bizneseve dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kur filluan me u sulmu bizneset e mediat, gjithkush që mendon ndryshe të linçohet. Kur bordet e agjencive dhe institucioneve publike u mbushën, jo me profesionistë, por me pjesëtarë të partisë e militantë…
Thuajse krejt çka LVV kishin kritikuar me vite e dekada, e bënë vetë posa erdhën në pushtet.
LVV e Kurti përfundimisht humbën plotësisht besimin për me drejtu vendin kur vendosën mos me ndihmu Kosovën, por me ndëshku ekonominë, bizneset e familjet e qytetarët gjatë krizës së energjisë dhe vendosën me i rritë çmimin e rrymës/energjisë duke e shkaktuar edhe një valë të inflacionit e duke i përjashtu nga tregu i rregulluar 50% të ekonomisë pa u përgatitur fare.
Duke e rreziku ekonominë dramatikisht dhe kështu duke e rritur importin e deficitin e duke ju vendosë një barrë të madhe prodhuesve tanë. Duke e goditur fuqinë blerëse të qytetarit e familjeve e, kështu, duke e varfëru familjen kosovare edhe më shumë. Duke e stimuluar kështu migrimin e qytetarëve dhe zbrasjen e fshatrave edhe më shumë.
Kulmi i gabimeve të LVV-së është kur ata pas një fitore të madhe me 42.3%, në vend se të sillen si fitues dhe të sjellin stabilitet e maturi, ata vendosën me u sillë të papërgjegjshëm dhe e bllokuan Kuvendin dhe Kosovën për gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, e ku ende jemi të paralizuar.
Tash nuk ka mbetur më as respekt, as votë, as besim për LVV e Albin Kurtin.
Ai ‘klienti’ nuk e mori shërbimin që ju premtua dhe nuk ka më besim e as nuk do i përdorë më ‘shërbimet’ e as ‘produktet’ të cilat dolën të jenë false dhe me materiale të dobëta.
LVV e Kurti e patën mundësinë e artë si askush më parë, por e keqpërdorën dhe e humbën dramatikisht votën dhe besimin.
Rruga e duhur për ta është opozita dhe reformimi. Mësimi nga gabimet nga koha e gjatë në pushtet. E kënaqësia e ‘klientit’, në këtë rast qytetarit e votuesit, nuk duhet me u anashkalu e harru asnjëherë.
