Koha për Zgjim Politik

Shkruan: Skënder ShEHU

Vetëvendosje duhet të ndalojë me politiken adoleshente dhe të negociojë me aleatët natyralë ideologjikë

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese si partia më e madhe, Kosova ndodhet në një moment kritik institucional: bllokim në konstituivin e Kuvendit dhe mungesë e marrëveshjeve politike që do të çonin vendin përpara.

Përballë kësaj situate, Lëvizja Vetëvendosje duhet të zgjohet nga gjumi politik dhe të kuptojë përgjegjësinë që ka si parti fituese.

Duhet të fillojë sa më parë negociatat e sinqerta dhe pragmatike me partitë si PDK, AAK dhe Nisma, me qëllim formimin e institucioneve stabile dhe funksionale.

Ky propozim nuk është thirrje për aleancë oportuniste, por një kthim tek realiteti politik dhe historik:

Lëvizja Vetëvendosje ka lindur dhe është formësuar nga individë dhe ideologji që janë të përbashkëta me këto parti – që të gjitha të dala nga rezistenca « çlirimtare », që ndajnë vlera kombëtare dhe një vizion të ngjashëm për sovranitetin dhe identitetin shtetëror të Kosovës. Këto parti kanë më shumë ngjashmëri sesa dallime thelbësore.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të qëndrojë larg kësaj tollovie politike. LDK nuk mund e nuk duhet të bëhet pjesë e një qeverisje me forcat që dikur ishin jo vetëm kundërshtarë politikë, por edhe kundërshtarë fizikë, në kohët më të vështira për pluralizmin në vend. Koherenca historike dhe integriteti politik janë më të rëndësishëm se ndonjë përfitim afatshkurtër.

Ky vend ka nevojë për institucione që funksionojnë, por edhe për një klasë politike që e njeh identitetin dhe kufijtë e vet ideologjikë.

Sa më parë të kuptohet kjo, aq më shpejt do t’i kthehemi stabilitetit dhe përparimit.


Go to TOP