Zbulohen shkelje serioze në 21 parkingje, asnjë kupon fiskal i lëshuar
Policia e Kosovës në Prizren, në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka zhvilluar dje një aksion të gjerë inspektimi në 21 parkingje në qytetin e Prizrenit.
Sipas Policisë, ky aksion u realizua në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren dhe kishte për qëllim parandalimin dhe hetimin e veprës penale “Shmangie nga tatimi”.
Gjatë inspektimeve u evidentuan disa shkelje të rënda të legjislacionit tatimor dhe të punës:
“Në të gjitha parkingjet e kontrolluara nuk janë lëshuar kuponë fiskal 9 punëtorë janë identifikuar si të paregjistruar, 5 parkingje nuk posedonin arka fiskale, 2 biznese operonin si të paregjistruara, 2 biznese funksiononin pa kontrata qiraje”, thuhet në njoftim.
ATK do të ndërmarrë veprimet procedurale sipas kompetencës së saj për çdo shkelje të evidentuar, ndërsa Policia e Kosovës do të vazhdojë me procedurat ligjore për ndjekjen e veprës penale të shmangies nga tatimi. /Kosova.info/
