Abdixhiku pas takimit me ambasadorin britanik: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore për demokracinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar rreth zhvillimeve të fundit politike në vend.
Në fokus të bisedës ishte vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, të cilin Abdixhiku e cilësoi si një fitore të madhe për demokracinë dhe për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se ky vendim konfirmon legjitimitetin e kërkesës së dorëzuar nga LDK dhe forcon bindjen se demokracia nuk mund të shtypet dhe Kushtetuta nuk mund të shkelet.
“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë që nga dita e parë – dhe sot është konfirmuar nga institucioni më i lartë kushtetues,” u shpreh Abdixhiku.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, duke vlerësuar rolin e saj si partner i rëndësishëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend. /Kosova.info/
