Tajlanda dhe Kamboxhia zotohen për përmbajtje në të ardhmen
Tajlanda dhe Kamboxha, pas katër ditësh bisedimesh, kanë arritur një marrëveshje për armëpushim.
Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe ndalimi i përdorimit të të gjitha llojeve të armëve, si dhe përmbajtja nga çdo pozicionim apo lëvizje trupash në të ardhmen përgjatë kufirit të përbashkët, zonë që më herët kishte qenë skenë e luftimeve të ashpra mes palëve.
Marrëveshja për armëpushim u arrit pas takimit të Komitetit të Përgjithshëm Kufitar Tajlandë – Kamboxha, i cili u ndërmjetësua nga Malajzia dhe u mbajt në Kuala Lumpur.
Në këto bisedime morën pjesë si vëzhgues edhe Shtetet e Bashkuara dhe Kina, ndërsa takimi u bashkëudhëhoq nga ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve.
Sipas marrëveshjes, të dyja palët do ta zbatojnë menjëherë armëpushimin dhe do të krijojnë një ekip vëzhgues të ASEAN-it, i cili do të drejtohet nga Malajzia, për të verifikuar dhe siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes, ashtu siç u dakordua në takimin e posaçëm më 28 korrik.
Në fund të majit të këtij viti, dhuna mes dy vendeve eskaloi kur, në zonën pranë disa tempujve të kontestuar, u vra një ushtar kamboxhian, ndërsa nga shpërthimi i minave tokësore u plagosën disa ushtarë tajlandezë.
Si pasojë e konfliktit, rreth 300 mijë njerëz u detyruan të zhvendosen nga zona e luftimeve.
