Hoti: Ndarja e buxhetit të RTK-së në 2021 ishte plotësisht ligjore

Pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili u shpreh se zgjidhja për financimin e RTK-së duhet të jetë vetëm në përputhje me ligjin dhe se vendimet e mëparshme, si në kohën e qeverisjes së Avdullah Hotit, kanë qenë joligjore, ka ardhur një reagim nga vetë ish kryeministri.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti mohoi kategorikisht pretendimet e Kurtit, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe si një tentativë për manipulim të opinionit publik.

“Ndarja e buxhetit për RTK-në në fillim të vitit 2021, kur ende nuk ishte konstituuar Kuvendi, ka qenë plotësisht ligjore. Buxheti i vitit 2021 ka qenë i miratuar. Vendimi i atëhershëm i Qeverisë ka paraparë hapat që duhej të ndiqeshin deri në vendimin e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, vendimi për ndarjen e buxhetit ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme, dhe deklarata e Kurtit për të kundërtën është një “tentim për mashtrim të opinionit”. /Kosova.info/


Go to TOP