Drejt vendimit të Kushtetueses: Shfaqja finale dhe kriza e besimit
Vetëm tri ditë kanë mbetur deri në vendimin kritik të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që do të përcaktojë nëse vendi do të vazhdojë drejt stabilitetit institucional apo do të shkojë në zgjedhje të reja. Ky moment po konsiderohet si vendimtar për drejtimin e ardhshëm politik të vendit
Gashi: Demokracia nuk duhet të bllokohet – shumica vendos
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar këtë periudhë si “show-n e fundit para vendimit të madh” duke theksuar rëndësinë që Gjykata të riafirmojë parimin demokratik të shumicës. Ai ka paraqitur një rrugë institucionale prej tre hapash që, sipas tij, duhet të ndjekë vendi në përputhje me Kushtetutën: të jepet kohë e arsyeshme (30 ditë) partisë apo koalicionit të parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit; në rast dështimi, të jepet mundësia deputetëve për të zgjedhur një kandidaturë tjetër dhe nëse dështon edhe kjo fazë, Presidenti/ja të shpallë zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.
“Demokracia nuk duhet të bllokohet. Shumica vendos. Kushtetuta udhëzon. Institucionet duhet të funksionojnë,” përfundon Gashi.
Muharremi: A ka gjyqtarë me aktakuza apo të kërkuar nga Interpol?
Por përtej debatit politik, analisti Shenoll Muharremi ka ngritur një tjetër shqetësim serioz që trondit besimin publik në proces. Ai shprehet i tronditur nga deklarata e Presidentes Osmani, e cila ka sugjeruar se në përbërje të Gjykatës Kushtetuese mund të ketë persona me të kaluar të errët, përfshirë të kërkuar nga Interpoli.
“Na paskemi persona në Gjykatë që kanë qenë në burg e që kërkohen ndërkombëtarisht? Nëse kjo është e vërtetë, kemi përballë një kolaps të drejtësisë,” deklaroi Muharremi. Ai shton se në një moment kaq kritik, është e papranueshme që vendi të ketë dyshime mbi integritetin e trupës gjyqësore më të lartë.
“Nëse kemi në këtë instancë njerëz me historik kriminal, nuk ka definicion më të fuqishëm të kriminalitetit institucional,” përfundoi ai.
Në këtë atmosferë të ngarkuar politike dhe institucionale, të gjithë sytë janë nga Gjykata Kushtetuese, e cila pritet të japë verdiktin para datës 8 gusht, ditë kur skadon masa e përkohshme që ka bllokuar çdo veprim në Kuvend. /Kosova.info/
