Kryeziu me katër pyetje për Presidenten Osmani: A e keni kryer detyrën për të mbrojtur rendin kushtetues?
Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka reaguar me kritika dhe kërkesa për sqarim ndaj Presidentes së Republikës, Vjosa Osmani, pas deklaratës së saj për tërheqjen e një kërkese të dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese më 22 korrik 2025.
Presidentja Osmani gjatë një konference për media ka thënë se vendimi për tërheqje erdhi pasi kishte mësuar që gjyqtari raportues në këtë rast ishte Radomir Laban, për të cilin, sipas saj, institucionet e sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta për veprimtari të rrezikshme në vitet 2018, 2021 dhe 2024. Ajo e cilësoi veprimin si “të domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së rendit kushtetues”.
Në reagimin e tij, Kryeziu rikujton nenin 118 të Kushtetutës që parasheh shkarkimin e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese vetëm për krime të rënda apo mospërfillje të detyrave, duke theksuar se veprimtaria që rrezikon rendin kushtetues është, sipas Kodit Penal, krim i rëndë.
Duke ngritur shqetësime mbi seriozitetin e akuzave ndaj gjyqtarit Laban, Kryeziu i drejton Presidentes Osmani katër pyetje publike:
1. A keni komunikuar me Kryetaren e kaluar dhe Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese lidhur me gjetjet e sigurisë?
2. A janë këto gjetje të faktuara mirë, përtej çdo dyshimi të bazuar?
3. A keni biseduar me gjyqtarët e tjerë të Kushtetueses për këtë çështje?
4. A keni sugjeruar që, në bazë të këtyre gjetjeve, të iniciohet procedura për rekomandimin e shkarkimit?
Sipas Kryeziut, këto pyetje janë thelbësore për të vlerësuar nëse Presidentja ka vepruar sipas përgjegjësisë kushtetuese për të mbrojtur rendin dhe sigurinë kombëtare. Ai përfundon duke paralajmëruar se mungesa e sqarimeve të qarta mund të dëmtojë besueshmërinë dhe seriozitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
