UNICEF: Një në tre palestinezë kalon me ditë të tëra pa ushqim
Më shumë se 160 palestinezë kanë gjetur vdekjen nga uria, mes tyre edhe 92 fëmijë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Një në tre banorë jetojnë me ditë të tëra pa ushqim, njoftoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ditën e premte, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë urgjentisht prej kushteve të përkeqësuara nga lufta me Izraelin.
“Sot, më shumë se 320 mijë fëmijë të vegjël janë në rrezik të kequshqyerjes akute,” theksoi Ted Chaiban pas një vizite të fundit në Izrael, Gazë dhe në Cisjordani.
Zv.drejtori ekzekutiv i UNICEF-it për aksionet humanitare dhe operacionet e ndihmave tha se treguesi i kequshqyerjes në Gazë “e ka tejkaluar pragun e zisë së bukës”.
“Jemi në një udhëkryq dhe zgjedhjet që bëhen tani do të përcaktojnë a do të jetojnë apo do të vdesin me mijëra fëmijë,” deklaroi z. Chaiban.
Të shtunën, një 17-vjeçar palestinez, Atef Abu Khater, gjeti vdekjes si pasojë e kequshqyerjes, raportoi Al Jazeera nëpërmjet një burimi në Spitalin al-Shifa. Ditët e fundit mësohet se ai ishte shtruar në reanimacion, por i ati i tij tregoi se djali nuk po reagonte më mirë ndaj medikamenteve.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, lufta mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas ka lënë të paktën 60 mijë banorë të vrarë. Mbi 18 mijë prej viktimave raportohet se janë fëmijë, shumica të mbetur nën gërmadhat e godinave të bombarduara nga ushtria izraelite. Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.300 palestinezë janë vrarë teksa tentonin të merrnin ndihma ushqimore.
Ushtria izraelite javën e fundit i vendosi operacionet e saj në një “pauzë taktike” ditore në disa pjesë të Gazës për të lejuar hyrjen e ndihmave nëpërmjet korridoreve të reja.
Shumë qeveri perëndimore dhe arabe kanë filluar të hedhin ndihma nga ajri në Gazë për të ushqyer më shumë se dy milionë banorë.
