​Kapen tre të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Policia e Kosovës me urdhër të gjykatës, ka realizuar një operacion policor nën dyshimet për përfshirje të disa personave të dyshuar në kryerje të veprave penale si lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit, vjedhje e identitetit dhe kredencialeve dhe hyrja e paautorizuar kompjuterike.

Operacioni policor është realizuar më datën 31 korrik 2025 në rajonin e Prishtinës, ku fillimisht janë arrestuar dy persona meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare, si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash.

Lidhur me rastin gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike si dëshmi në vendin e ngjarjes ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy kompjuterë, një laptop, dy telefona mobilë, tri USB dhe një HDD, raporton KosovaPress.

Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm, kësisoj me vendim të prokurorit, dy të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë.

Si rezultat i hetimeve të cilat kanë vazhduar, sot është ndaluar edhe i dyshuari i tretë mashkull kosovar i cili dyshohet se ka qenë pjesë e grupit, i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.  


Go to TOP