Fatmir Ademaj shpall kandidaturën për kryetar të Malishevës: Premton udhëheqje të ndershme dhe zhvillim për të gjithë

Fatmir Ademaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Malishevës në zgjedhjet e ardhshme lokale. Njoftimin e bëri përmes një deklarate publike, ku theksoi se ky vendim erdhi pas konsultimeve të gjera me nëndegët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), strukturat lokale dhe bashkëpunëtorët e tij politikë.

Ademaj tha se vendimi u finalizua pas mbështetjes së plotë nga kryesia e LDK-së në Malishevë dhe si rezultat i dëgjimit të kërkesave të qytetarëve.

“Ky vendim është rezultat i dëgjimit të zërit tuaj, i analizës së nevojave të qytetarëve dhe i bindjes sime se Malisheva meriton një energji të re, një udhëheqje të përgjegjshme, të ndershme dhe të afërt me njerëzit,” deklaroi ai.

Në thirrjen e tij drejtuar qytetarëve, Ademaj shprehu angazhimin për një Malishevë më të zhvilluar, me fokus në mbështetjen për të rinjtë, përkujdesjen për familjet dhe një qeverisje të ndërtuar mbi besimin dhe transparencën.

“Tani është koha për bashkim dhe për punë edhe më të madhe,” përfundoi ai duke falënderuar të gjithë ata që i dhanë përkrahje në këtë fazë.

Kandidatura e Ademajt vjen në një kohë kur gara politike në nivel lokal po intensifikohet, ndërsa LDK synon të rikthehet në drejtimin e komunës me një profil të ri dhe vizion zhvillimor. /Kosova.info/


Go to TOP