Kryeqyteti kundërshton aktgjykimin për ndërtimin në pronë publike, kërkon ankesë nga NPB

Komuna e Prishtinës ka reaguar pas një aktgjykimi të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale të Kosovës, i cili e ka aprovuar padinë e kompanive “MADE GROUP CONSTRUCTION SHPK”, “ARKOS SHPK” dhe “MADEKOS SHPK” kundër Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), lidhur me përmbushjen e një kontrate për ndërtimin e një objekti në një pronë publike komunale.

Sipas njoftimit zyrtar nga komuna, prona në fjalë është në shfrytëzim të NPB-së, ndërsa kontrata që është objekt i kontestit, sipas ekzekutivit të kryeqytetit, është iniciuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

“Që nga fillimi i mandatit tonë, ne e kemi kundërshtuar fuqishëm këtë proces të paligjshëm duke ndërmarrë hapa konkretë dhe duke kërkuar nga NPB-ja që të angazhohet me të gjitha kapacitetet ligjore që ky proces të kthehet në pikën zero,” thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Pas njoftimit për aktgjykimin e shkallës së parë, Komuna njofton se ka kërkuar menjëherë nga NPB-ja që të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe të paraqesë ankesë në shkallën e dytë të Gjykatës Komerciale, për të mbrojtur interesin publik dhe ligjshmërinë.

Kryeqyteti thekson se prona publike duhet të jetë pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm urban, por vetëm në përputhje me procedurat ligjore dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve. “Kurrë nuk do të lejojmë që prona publike të keqpërdoret për përfitime të grupeve të interesit të lidhura me qarqe politike, në dëm të qytetarëve të Prishtinës,” përfundon reagimi.

Komuna ka ripërsëritur angazhimin për mbrojtjen e ligjit, transparencës dhe interesit të përgjithshëm duke e cilësuar pronën publike si pronë të qytetarëve, jo të interesave të ngushta politike apo ekonomike. /Kosova.info/


Go to TOP