Abdixhiku prezanton Arbër Ismajlin si kandidatin e LDK-së për Gjilanin: Nuk vjen me fjalë, por me plane
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar zyrtarisht Arbër Ismajlin si kandidatin e kësaj partie për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjatë një tubimi të mbajtur në lagjen Dardania, Abdixhiku tha se Arbër Ismajli është një figurë autentike e qytetit, i rritur dhe formuar në Gjilan duke e cilësuar atë si një njeri të afërt me qytetarët dhe hallet e tyre.
“Arbëri nuk është prodhim zyre, as emër i importuar nga rrjetet sociale. Është i yni, është i juaji, është i Gjilanit,” theksoi Abdixhiku duke shtuar se kandidati i LDK-së nuk vjen me fjalë të mëdha, por me angazhime konkrete për qytetin.
Sipas kreut të LDK-së, Arbër Ismajli do të sjellë një stil të ri udhëheqjeje – duke shërbyer dhe respektuar qytetarët, e jo duke sunduar e përçmuar. Ai e quajti këtë prezantim si një “mundësi të artë” për qytetarët e Gjilanit që, më 12 tetor, të ndalojnë rënien dhe arrogancën institucionale dhe të zgjedhin një drejtim të ri që vendos punën para fjalëve, zgjuarsinë para propagandës dhe thjeshtësinë para mendjemadhësisë.
“Qyteti nuk është pronë e askujt – është besim i përbashkët. Dhe ky besim nuk falet, por meritohet,” përfundoi Abdixhiku duke kërkuar mbështetjen qytetare për Arbër Ismajlin. /Kosova.info/
