VV mohon manipulimin e fotografisë, i drejtohet Ambasadës Gjermane: Reagimi juaj u bazua në një lajm të rremë
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar publikisht ndaj Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, pas një pretendimi se VV kishte manipuluar një fotografi të publikuar në rrjetet sociale.
Në një deklaratë drejtuar Ambasadës, Manxhuka theksoi se fotografia e përdorur nga partia e tij ishte marrë nga një postim i Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili e kishte shpërndarë atë nga mediumi Kallxo.com. Ai tha se as VV, as burimi fillestar nuk kanë manipuluar fotografinë dhe se pretendimet për manipulim përbëjnë “fake news”.
“Fotografia e përdorur nga ne është marrë nga postimi i ministrit të Mbrojtjes, i cili vetë e ka shpërndarë atë nga Kallxo.com. Nuk ka asnjë ndërhyrje apo manipulim, dhe këtë e dëshmojnë lehtësisht fotografitë dhe linqet që kemi publikuar,” tha Manxhuka.
Ai shtoi se në një kohë kur përhapja e lajmeve të rreme është e shpeshtë, është e rëndësishme që institucionet diplomatike të reagojnë mbi fakte dhe të vërteta të verifikuara.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar edhe tri linqe për të dëshmuar vërtetësinë e fotografisë:
Postimi i mediumit Kallxo.com: Link
Reagimi i ministrit Ejup Maqedonci: Link
Postimi i Vetëvendosjes: Link
Sipas VV-së, pretendimet për manipulim e kanë çuar edhe Ambasadën e Gjermanisë në një interpretim të gabuar. /Kosova.info/
