Salihaj: Shkelja e ushtrisë në veri është rikthim i dinjitetit – Thaçi ia kishte ndaluar FSK-së me marrëveshje me Vuçiqin

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Adem Salihaj, ka përshëndetur vendosjen e ushtrisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit duke e cilësuar këtë veprim si një hap të madh drejt rikthimit të dinjitetit dhe sovranitetit shtetëror.

Në një reagim të gjatë, Salihaj ka akuzuar ish-presidentin Hashim Thaçi se kishte nënshkruar një zotim të fshehtë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të ndaluar Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) të hyjë në veri të vendit. “Kush do ta bënte këtë, përveç një njeriu të shitur, i cili ia ndalon ushtrisë së shtetit të tij të shkelë në një pjesë të territorit të shtetit?”, shkroi ai.

Ai ka rikujtuar edhe një deklaratë përçmuese të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili kishte thënë se “çizmja shqiptare kurrë nuk do të shkelë matanë urës në veri” duke përçmuar termin “shqiptare” me shprehjen “shiptarska”.

Salihaj lavdëroi Qeverinë Kurti duke e quajtur të vetmen qeveri që nuk ka lejuar qeverisjen serbe në veri të Kosovës, për dallim nga qeveritë e kaluara të udhëhequra nga PDK, LDK dhe AAK, të cilat, sipas tij, e kishin lënë veriun nën kontrollin de facto të Serbisë.

Sipas tij, dikur Vuçiqi dhe zyrtarët serbë vizitonin Kosovën kur të donin, ndërsa zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës nuk mund të shkelin në veri pa lejen e Beogradit.

“Kosovës po i kthehet shkallë-shkallë dinjiteti dhe sovraniteti. A do të mund të bëhej ky veprim pa koordinim me SHBA-të dhe vendet e BE-së? Sigurisht që jo,” përfundon Salihaj duke theksuar se politika nuk është asnjëherë ajo që duket në sipërfaqe, por kërkon njohuri dhe vizion për t’u kuptuar drejt. /Kosova.info/

Go to TOP