Zbulohet dallimi kryesor midis trurit të personave optimistë dhe atyre pesimistë
Studimet po tregojnë gjithnjë e më shumë se ndryshimi midis optimistëve dhe pesimistëve mund të mos jetë vetëm çështje qëndrimi, por më tepër mënyra se si funksionon truri i tyre.
Një studim i ri nga shkencëtarët në Universitetin Kobe në Japoni, i botuar në revistën Proceedings of the National Academy of Sciences (PNAS), ka zbuluar se truri i optimistëve funksionon në një mënyrë çuditërisht të koordinuar.
Kur imagjinojnë të ardhmen, optimistët tregojnë modele shumë të ngjashme të aktivitetit të trurit në rajonin përgjegjës për përpunimin dhe planifikimin emocional – korteksin medial prefrontal. Në të kundërt, truri i pesimistëve duket më i larmishëm dhe i shkëputur.
Në studim, shkencëtarët tërhoqën një paralele midis përfundimeve të hulumtimit të tyre dhe fjalisë së famshme të Tolstoit nga fillimi i librit “Anna Karenina”: “Të gjitha familjet e lumtura janë njësoj, çdo familje e pakënaqur është e pakënaqur në mënyrën e vet”.
Në mënyrë të ngjashme, studiuesit shkruajnë, “të gjithë optimistët janë njësoj, ndërsa çdo pesimist mendon për të ardhmen në mënyrën e tij unike”.
Autori i parë i studimit, psikologu dhe neuroshkencëtari Kuniaki Yanagisawa, thotë se “optimistët duket se përdorin një kornizë të përbashkët neurologjike për të organizuar mendimet e tyre për të ardhmen, e cila ka të ngjarë të pasqyrojë një stil të ngjashëm të përpunimit mendor në vend të mendimeve identike”.
“Ata janë fjalë për fjalë në të njëjtën gjatësi vale”, shton ai.
Hulumtimi përfshinte 87 pjesëmarrës të cilët fillimisht plotësuan një pyetësor psikologjik për të matur optimizmin dhe më pas morën pjesë në një skanim të trurit me rezonancë magnetike funksionale.
Gjatë regjistrimit, atyre iu kërkua të imagjinonin skenarë të ndryshëm të mundshëm nga e ardhmja e tyre – pozitivë, neutralë dhe negativë, duke përfshirë temat që lidhen me vdekjen. Qëllimi ishte të zbulohej se si truri i tyre reagon ndaj përfaqësimeve të ndryshme emocionale të së ardhmes.
Rezultatet zbuluan se truri i optimistëve tregoi modele të qëndrueshme, por edhe një aftësi më të madhe për të dalluar midis ngjarjeve pozitive dhe negative. Ky ndryshim nuk ishte aq i theksuar tek pesimistët, gjë që mund të tregojë konfuzion emocional ose tolerancë më të ulët ndaj stresit.
Yanagisawa sugjeron që një përpunim i tillë emocional “më i pastër” mund t’i ndihmojë optimistët të mbeten psikologjikisht elastikë sepse ata i perceptojnë skenarët negativë në një mënyrë më abstrakte dhe më pak konkrete.
“Kjo nuk do të thotë që optimistët imagjinojnë të njëjtën të ardhme, por që truri i tyre strukturon informacionin pozitiv dhe negativ në një mënyrë të ngjashme. Pra, ata nuk mendojnë njësoj, por mendojnë në një mënyrë të ngjashme”, shpjegoi Yanagisawa.
Lind pyetja se pse reagimet e pesimistëve janë kaq të ndryshme nga ato të optimistëve. Sipas një teorie, pesimistët kanë një gamë më të gjerë shqetësimesh dhe e përjetojnë të ardhmen përmes një filtri emocional më të larmishëm.
Një tjetër mundësi, sugjeron Yanagisawa, është që optimistët ndajnë një kornizë të përbashkët të qëllimeve dhe vlerave të pranuara shoqërisht – diçka nga e cila pesimistët mund të ndihen të huaj, për shkak të bindjeve personale, traumave ose përvojave shoqërore.
Shkencëtarët arrijnë në përfundimin se optimistët jo vetëm që mund ta shohin gotën gjysmë të mbushur, por kanë tru që dinë ta mbajnë atë të mbushur.
