Rama reagon pas rihapjes së pishinës së Gërmisë: Ky nuk është kujdes, është kalkulim politik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas vendimit për rihapjen e pishinës së Gërmisë vetëm një ditë pas mbylljes së saj. Ai ka cilësuar këtë veprim si një kalkulim politik, që sipas tij lidhet drejtpërdrejt me aktivitetet e tij elektorale.

Në një deklaratë publike, Rama theksoi se më 24 korrik, u mor vendimi për mbylljen e pishinës bazuar në analiza preliminare të IKSHPK-së, të cilat, sipas tij, nuk ishin as të plota, as përfundimtare. Kjo ndodhi pikërisht në ditën kur ishte paralajmëruar ceremonia e shpalljes së kandidaturës së tij për mandatin e dytë, që duhej të mbahej në amfiteatrin e kësaj pishine.

Vetëm një ditë më vonë, më 25 korrik, analizat përfundimtare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës konfirmuan se uji në pishinën e Gërmisë është brenda standardeve, dhe objekti u rihap për publikun.

“Kjo na vendos përballë një pyetje thelbësore: Kush i shërben qytetarëve dhe kush i manipulon ata?”, pyeti Rama, duke akuzuar se vendimet institucionale janë keqpërdorur për qëllime elektorale.

Ai e cilësoi këtë si përdorim të frikës dhe alarmit për përfitime politike, duke thënë se kjo praktikë është moralisht e dënueshme dhe ligjërisht e sanksionueshme.

Në fund të deklaratës, Rama u bëri thirrje të gjithë zyrtarëve publikë të ruajnë integritetin profesional dhe të mos bëhen instrument i askujt në funksion të agjendave partiake, duke theksuar se qytetarët nuk janë dhe nuk duhet të jenë mjet elektoral.

“Ne, si Kryeqytet, mbetemi të përkushtuar të funksionojmë me transparencë, përgjegjësi dhe dinjitet institucional,” përfundoi ai. /Kosova.info/

Go to TOP