IKSHPK konfirmon: Uji i pishinës së Gërmisë brenda standardeve – Sport Marketing: Pishina është e hapur dhe e pastër
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se uji i pishinës së Gërmisë është brenda standardeve të parapara për siguri dhe higjienë, sipas analizave të kryera më 23 korrik 2025. Ky vlerësim vjen në kuadër të mandatit të IKSHPK-së për mbrojtjen e shëndetit publik dhe monitorimit të rregullt të cilësisë së ujit në ambiente publike.
Nga rezultatet e publikuara, uji i pishinës plotëson të gjitha kërkesat e rregullores për pishina duke garantuar kështu një mjedis të sigurt për frekuentuesit.
Në reagimin e tij, Bardh Krasniqi nga NPL “Sport Marketing” SH.A. falënderoi IKSHPK-në për bashkëpunimin dhe për rezultatet përfundimtare duke njoftuar qytetarët se: “Pishina është e hapur dhe e pastër.”
Ai gjithashtu falënderoi edhe inspektorët sanitarë për angazhimin e tyre, ndërsa kritikoi ashpër, siç u shpreh ai, “diletantët brenda kabineteve të Ministrisë së Shëndetësisë” që sipas tij kanë shkaktuar panik dhe pasiguri të panevojshme në publik.
“Ne kujdesemi për shëndetin publik, ju diletantët, krijoni terr dhe panik!”, theksoi Krasniqi në fund të reagimit.
IKSHPK ka paralajmëruar se do të vazhdojë monitorimin e ujit për pije dhe të ujit në pishinën e Gërmisë, për të siguruar standarde të vazhdueshme të sigurisë shëndetësore për qytetarët. /Kosova.info/
