Rama: “Netët e Nexhmije Pagarushës” rikthyen shpirtin e saj në jetën kulturore të kryeqytetit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar lart festivalin “Netët e Nexhmije Pagarushës” që po mbahet në qendër të kryeqytetit duke e cilësuar si një rikthim dinjitoz të shpirtit dhe trashëgimisë artistike të ikonës së muzikës shqiptare.
“Nexhmije Pagarusha bashkonte finesën muzikore me një ndjeshmëri njerëzore të rrallë. Njejtë ishte edhe mbrëmë në qendër të Kryeqytetit – finesë dhe ndjeshmëri e rrallë”, u shpreh Rama në një postim publik.
Ai i ka shprehur mirënjohje të veçantë “Fondacionit Rame Lahaj” për organizimin e festivalit dhe për vizionin e treguar në sjelljen e figurës së Nexhmije Pagarushës në qendër të vëmendjes publike.
Sipas tij, ky festival nuk është thjesht një akt përkujtimor, por një hapësirë kulturore ku ndërthuren kujtesa historike, edukimi artistik dhe frymëzimi për brezat e rinj.
“Është një vazhdimësi e ëndrrës që ajo mishëroi me aq përkushtim dhe dashuri”, tha Rama duke nënvizuar se ky aktivitet është një shembull i shkëlqyer i ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore përmes artit dhe përkujdesjes institucionale. /Kosova.info/
