Kosova ndalon importin e derrave dhe produkteve të tyre nga Kroacia pas shpërthimit të Murtajës Afrikane të Derrit

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të importit të derrave të gjallë, produkteve, nënprodukteve dhe materialit gjenetik të derrit nga Kroacia, pas shpërthimit të sëmundjes Murtaja Afrikane e Derrit (MAD) në rajonet Osječko-Baranjska dhe Vukovarsko-Srijemska.

Ky vendim, i cili hyn në fuqi nga data 23 korrik 2025, vjen pas raportimeve zyrtare në sistemet ndërkombëtare të lajmërimit të sëmundjeve veterinare, ADIS dhe WOAH, që konfirmuan prezencën e virusit në territorin kroat. Sipas AUV-së, kjo masë është ndërmarrë në mbështetje të Ligjit për Veterinarinë dhe ka për qëllim parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Republikën e Kosovës.

Autoritetet që veprojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit – përfshirë Policinë e Kosovës, Doganat dhe AUV-ja – janë urdhëruar të rrisin nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare duke parandaluar hyrjen në territorin e Kosovës të çdo lloj malli që bie në kategorinë e ndaluar.

AUV-ja ka bërë të ditur se aktualisht nuk është identifikuar asnjë rast i dyshuar në ferma brenda territorit të Kosovës dhe se situata është plotësisht nën kontroll. Inspektorët veterinarë dhe praktikat private veterinare janë të angazhuara në terren, me qëllim të monitorimit të situatës dhe marrjes së masave të shpejta në rast të ndonjë rreziku të mundshëm.

Murtaja Afrikane e Derrave (MAD) është një sëmundje virale tepër ngjitëse, që prek vetëm derrat e butë dhe ata të egër. Ajo karakterizohet nga ethe hemorragjike dhe ka një shkallë vdekshmërie shumë të lartë – deri në 100%. Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit, por përbën rrezik të madh ekonomik për sektorin e blegtorisë, për shkak të përhapjes së shpejtë përmes kafshëve, pajisjeve të kontaminuara, ushqimit apo kontakteve njerëzore nga ferma në fermë.

AUV-ja bën thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga të gjithë fermerët dhe qytetarët, si dhe siguron se do të vazhdojë me monitorimin intensiv të gjendjes dhe marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe të sektorit bujqësor në vend. /Kosova.info/


Go to TOP