Peci: Lë trashëgimi pa borxhe dhe me investime për fermerët në mandatin e ardhshëm
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka bërë publike rezultatet e mandatit të tij duke theksuar sukseset dhe përgatitjet për mandatin e ardhshëm 2025–2026. Ai nënvizoi se sektori i bujqësisë tashmë është në një rrugë të sigurt zhvillimi, falë reformave dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare.
“Nuk po presim të na sfidojnë për të provuar suksesin – ai tashmë është i garantuar,” tha Peci duke theksuar se nga 40 milionë euro borxhe të trashëguara në fillim të mandatit, tani po lihen të gatshëm përfitime për rreth 4,000 fermerë në vlerë prej 20.2 milionë euro, për vitet 2025-2026.
Një arritje e veçantë është marrëveshja ndërkombëtare me Qeverinë Gjermane, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës – një praktikë e re për sektorin e bujqësisë. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, sot është lansuar zyrtarisht skema e granteve investuese për LOT 1 dhe LOT 2, që përfshijnë mbështetje për fshatin, fermerët, turizmin rural, agroturizmin dhe ekoturizmin.
Peci theksoi se ky investim do të ndihmojë zhvillimin e zonave të thella rurale duke kthyer produktet tradicionale të shtëpisë në modele biznesi me shije autentike, inovacion dhe vlera nutritive të larta.
“Fermeri kosovar po shndërrohet në ambasador të traditës, agroturizmit dhe kulinarisë sonë,” deklaroi ai duke falënderuar Qeverinë Gjermane dhe GIZ për mbështetjen.
Në fund, me një urim simbolik: Gëzuar / Prost!, Peci përmbylli prezantimin e kësaj etape të rëndësishme për bujqësinë kosovare. /Kosova.info/
