Shënohet ‘Dita e Mjedrës’ me 2 mijë fermerë aktivë
Në Radavc të Pejës u shënua të martën “Dita e Mjedrës” për të katërtin vit me radhë, nën moton “Kosova kultivon cilësi”. Ngjarja u organizua nga Shoqata “Mjedra e Kosovës” dhe u zhvillua në plantacionin e fermerit Nehat Bajraktari, ku morën pjesë mbi 70 përfaqësues nga institucione lokale dhe ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit ndoqën demonstrimin e sistemit të ri të ujitjes inteligjente, i cili ndihmon në përballimin e ndryshimeve klimatike, dhe grumbulluan mjedra të freskëta.
Kjo ngjarje është pjesë e programit EREA, i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe i zbatuar nga Caritas-i Zviceran. Gjithashtu u dha starti i Javës së Promovimit të Mjedrës Vendore, me oferta në dyqanet lokale dhe donacione për spitalin e Pejës dhe shtëpinë e të moshuarve.
“Mbështetja jonë nuk ka të bëjë vetëm me ofrimin e fondeve, ne po investojmë tek njerëzit”, u shpreh Rita Glavitza, drejtoreshë e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim.
“Fuqizimi i këtij sektori është thelbësor për ndërtimin e një zinxhiri të qëndrueshëm dhe konkurrues të vlerës, si dhe për të krijuar perspektivë për të rinjtë në vendin e tyre”, tha ajo.
Nga ana e tij,kKryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, konfirmoi përkushtimin e komunës për të mbështetur fermerët përmes subvencioneve, duke theksuar se vetëm këtë vit pritet të eksportohen rreth 20 tonë mjedër nga fermerët e Pejës.
Zëvendësministri në detyrë i Bujqësisë, Imri Demelezi, theksoi se ministria është e përkushtuar për të fuqizuar besimin e fermerëve dhe shtoi se nga viti 2010 deri në vitin 2025, sipërfaqja e mbjellë me mjedër është rritur nga 10 në 1 mijë hektarë “një histori suksesi për sektorin bujqësor në Kosovë”.
Në fund, Astrid Wein, drejtoreshë e Caritas-it Zviceran në Kosovë, u shpreh krenare për rezultatet që po arrihen falë përkushtimit të fermerëve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes partnerëve.
Aktualisht, sektori i mjedrës në Kosovë përfshin rreth 2 mijë fermerë aktivë në mbi 1 mijë hektarë tokë, me një prodhim të parashikuar prej rreth 3 mijë tonë për vitin 2025. Përveç eksporteve të qëndrueshme, kërkesa në tregun vendor po njeh rritje të vazhdueshme.

