Fetoshi: Arrestimi i Jevtiçit, goditje e celulave kërcënuese serbe
Drejtori i Institutit `Octopus`, Arben Fetoshi, tha se arrestimi i `policit` Bojan Jevtiç në pikën kufitare “Dheu i Bardhë” është edhe një sukses tejet i rëndësishëm i institucioneve të sigurisë kundër celulave dhe qëllimeve subversive e destabilizuese të Serbisë.
“Neutralizimi i një agjenti tjetër sot dëshmon profesionalizmin, vendosmërinë dhe bashkëveprimin efikas të AKI-së, IPK-së dhe Prokurorisë së Posaçme, në përballje me agresionin jo konvencional të Serbisë. Në zinxhirin e mekanizmave të luftës hibride, rrjeti i spiunëve dhe infiltrimi i tyre në institucionet shtetërore janë hallka më kërcënuese për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës. Rasti i sotëm tregon se ata ekzistojnë, por tregon po ashtu se ata kapen, neutralizohen e “shkrumohen” me hetim dhe filtrim profesional”, ka shkruar ai në ‘Facebook’. /Kosova.info/
