LDK Vushtrri akuzon: Ferit Idrizi subvencionoi 8,000 € për Fjolla Feratin para aderimit në PDK
Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Vushtrri ka akuzuar publikisht kryetarin e komunës, Ferit Idrizi, për keqpërdorim të parasë publike me qëllime elektorale. Sipas LDK-së, Idrizi ka ndarë 8,000 euro nga buxheti i komunës për organizatën L’art Youth Gallery, që sipas tyre është e lidhur ngushtë me Fjolla Feratin – e cila sot u prezantua si kandidate për asamble komunale nga radhët e PDK-së.
Në reagimin e LDK-së thuhet se kjo shumë është ndarë pak muaj para aderimit të Feratit në PDK, duke ngritur dyshime të forta se subvencioni është përdorur si shpërblim për përfshirjen e saj në listën zgjedhore.
“Faktet janë kokëforta”, thuhet në reagim: klubi sportiv “Samadrexha”, që përfaqëson Vushtrrinë në garat evropiane, është mbështetur me vetëm 8,600 €; OJQ-ja me traditë “Hareja”, që punon prej 26 vitesh në qytet, ka marrë vetëm 950 €; tifozët “Forca” të KF Vushtrria janë ndihmuar me 2,300 € dhe L’art Youth Gallery, e lidhur me Fjolla Feratin, përfitoi 8,000 €.
LDK e cilëson këtë si “formën më të shëmtuar të politizimit të parasë publike” dhe paralajmëron se qytetarët nuk do të lejojnë të manipulohen sërish për interesa personale dhe partiake.
“Nuk do ta blesh dot pushtetin, Ferit Idrizi. Vushtrria nuk mashtrohet dy herë. Dinjiteti i qytetarëve nuk është në shitje!”, përfundon reagimi i LDK-së. /Kosova.info/
