Prizren Fest 2025, edicioni i 4-t nën qiellin e hapur të qytetit historik
PrizrenFest, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Ambient të Hapur, rikthehet këtë vit me edicionin e tij të katërt nga 21 deri më 28 korrik 2025, duke sjellë në qytetin historik të Prizrenit një javë të mbushur me art, kulturë dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Festivali hapet më 21 korrik, në ora 21:00, me një performancë të veçantë baleti nga Eno Peçi & Trupa e Baletit të Teatrit Kombëtar të Tiranës, në një atmosferë të hapur për publikun e gjerë.
Programi i këtij viti sjell një mori aktivitetesh për të gjitha grupmoshat, me pjesëmarrjen e trupave teatrale nga Italia, Franca, Palestina, Anglia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Përveç shfaqjeve, festivali ofron edhe punëtori, konferenca dhe panele diskutimi mbi temat më aktuale të teatrit bashkëkohor dhe atij tradicional.
Shfaqjet do të zhvillohen në disa prej hapësirave më unike dhe ikonike të Prizrenit si: Teatri mbi Lum, Teatri “Bekim Fehmiu”, Katedralja Katolike e Zojës Ndihmëtare, Shtëpia e të Moshuarve “Jetimat e Ballkanit”, Amfiteatri – ITP, Burgu i Qytetit, Lidhja e Prizrenit, Autostrada Biennale – Hangar – ITP dhe Shkolla e Muzikës “Lorenc Antoni”. Ky përhapje e ngjarjeve nëpër qytet reflekton përkushtimin e festivalit ndaj temave me rëndësi sociale dhe përfshirjes së komunitetit në çdo formë të shprehjes artistike.
Risi në programin e larmishëm të shfaqjeve për fëmijë këtë vit, është shfaqja ‘TRE’ nga Maqedonia e Veriut, e cila është shfaqja e parë profesionale për fëmijë në gjuhën e shenjave, për të shurdhërit dhe ata me dëgjim të dobët. Në shfaqje, aktorët performojnë njëkohësisht në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shenjave. Është menduar për një audiencë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse fëmijësh. Shfaqja ka një karakter didaktik në të cilin fëmijët bashkëveprojnë me aktorët dhe mësojnë alfabetin e gjuhës së shenjave.
