Prodhimi i KEK tejkalon kërkesën për energji elektrike – korrik 2025

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK Sh.A.) ka bërë të ditur se gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025 ka arritur të mbulojë dhe tejkalojë kërkesën ditore për energji elektrike në vend, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%.

Pavarësisht sfidave të trashëguara teknike dhe moshës së njësive prodhuese, KEK ka theksuar se termocentralet janë duke operuar me kapacitete të larta duke garantuar furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët në Kosovë.

“Njësitë tona prodhuese, përfshirë edhe njësinë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistemin energjetik të vendit,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Për të dëshmuar performancën e lartë, KEK ka publikuar edhe një grafik të mbulueshmërisë ditore për ditët e para të korrikut duke ilustruar qartë se prodhimi ka qenë i qëndrueshëm dhe i mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e tregut vendor.

Në dritën e disa komenteve dhe interpretimeve publike të fundit, KEK ka ofruar një sqarim të përgjithshëm për opinionin publik duke riafirmuar përkushtimin ndaj transparencës, funksionimit ligjor dhe integritetit profesional.

“Në çdo procedurë prokurimi respektohet ligji dhe mbikëqyret nga institucionet përkatëse. Ftojmë që çdo komunikim publik të bazohet në fakte të verifikueshme dhe etikë profesionale,” theksohet në reagim.

KEK mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët, median dhe institucionet relevante duke synuar ruajtjen e stabilitetit energjetik dhe përmirësimin e shërbimeve për vendin. /Kosova.info/


Go to TOP