15 vite burg për zërin e lirisë – Altin Krasniqi kërkon drejtësi për babanë e tij, Jakup KrasniqinLajmi i plotë:
Altin Krasniqi, djali i ish zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kujtuar sot përmes një deklarate publike 15-vjetorin e kohës që babai i tij ka kaluar në burgje – nga qelitë e Jugosllavisë komuniste, deri te paraburgimi në Hagë nga drejtësia ndërkombëtare. Në një tekst të fuqishëm emocional dhe historik, Altin Krasniqi ngre alarmin për padrejtësinë që, sipas tij, po i bëhet jo vetëm babait të tij, por vetë historisë së Kosovës.
“Sot, babait tim i bëhen 15 vjet në burgje. Sepse zgjodhi lirinë e një populli, e jo lirinë e tij,” shkruan Krasniqi, duke përkujtuar se Jakup Krasniqi u arrestua fillimisht më 4 prill 1981 nga regjimi jugosllav, për deklaratën e tij se nuk ishte jugosllav, por shqiptar. Ai u dënua atëherë me 14 vite burg, ndërsa u lirua më 23 korrik 1991, pas më shumë se 10 vitesh të vuajtura në burgjet famëkeqe të sistemit represiv të kohës.
Sot, në moshën 74-vjeçare, Jakup Krasniqi ndodhet në paraburgim në Hagë, ku bashkë me ish-krerë të tjerë të UÇK-së po gjykohet nga Dhomat e Specializuara. Sipas Altin Krasniqit, kjo nuk është drejtësi, por vazhdimësi e përndjekjes së një ideali: “Jo nga Beogradi, jo nga UDB-ja, por nga ata që u betuan se do të sillnin drejtësi ndërkombëtare. Ata që heshtën për masakrat e Serbisë, por u ngutën të hapin dosje për çlirimtarët.”
Krasniqi e cilëson këtë gjykim si përpjekje për të shlyer nga historia luftën e drejtë të Kosovës për liri dhe shtetësi. “Ai është simbol i asaj që mbështetësit e politikave të Beogradit do ta donin të shlyer: luftën e drejtë të një populli!”
Ai e mbyll deklaratën me një thirrje të qartë: “Kjo nuk është thirrje për mëshirë, kjo është thirrje për drejtësi! Liria nuk është e plotë derisa i fundit i çlirimtarëve të jetë i lirë.”
Ky reagim vjen në një kohë kur proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së vazhdojnë të zgjasin me vite, ndërsa në Kosovë po rritet pakënaqësia ndaj trajtimit të figurave të luftës nga Gjykata Speciale. /Kosova.info/
