Bajrami denoncon KEK-un: Tenderi 137 milionësh rihapet me të njëjtat kushte, pa fizibilitet – korrupsioni po shkatërron vendin
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas vendimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për të rihapur tenderin në vlerë prej 137 milionë eurosh, i cili më parë ishte pezulluar për shkak të një ankese në OSHP.
Sipas Bajramit, KEK-u e ka kthyer tenderin në pikën zero dhe tashmë e ka hapur sërish me të njëjtat kushte fillestare duke lënë vetëm 3 ditë afat për kompani që të aplikojnë. Ajo thekson se tenderi, që ka të bëjë me revitalizimin e bllokut A3 në Termocentralin “Kosova A”, vazhdon të zhvillohet pa specifikacione teknike, pasi mungon ende studimi i fizibilitetit.
“Nga janari i këtij viti, KEK-u po ushtron ‘fizkulturë’ me këtë projekt gjigant, ndërsa importi i energjisë elektrike po rritet dita-ditës. Përfitues janë të zakonshmit: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, NOA, e të tjerë, të cilët po e mbushin tregun me energji të shtrenjtë që po na faturohet në çdo shërbim e produkt”, shkruan Bajrami.
Ajo alarmon se, në mungesë të transparencës dhe kritereve të qarta, KEK do të pranojë 6 ofertues dhe pastaj do të negociojë me ta për atë se çfarë mund të realizojnë me shumën prej 137,340,000 eurosh.
“Do të fitojë ai që është më i shkathëti në ‘negociata’, jo ai që ofron më të mirën për vendin”, shkruan ajo duke e konsideruar këtë një skandal të radhës në sektorin energjetik.
Bajrami përmbyll reagimin e saj me një deklaratë të fortë: “Korrupsioni është duke e shkatërruar këtë vend.” /Kosova.info/
