Surdulli drejt rikandidimit për kryetar komune: Koha për unifikim dhe ringjallje të LDK-së në Kamenicë
Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës dhe ish-kreu i degës së LDK-së në këtë komunë, Shaip Surdulli, ka deklaruar se është në fazat përfundimtare të konfirmimit të kandidaturës së tij për zgjedhjet lokale të ardhshme.
Në një deklaratë për media, Surdulli tha se ka kohë që ka shprehur interesim për t’u rikthyer në garën për kryetar komune dhe ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ndërsa pritet të takohet sërish nesër, bashkë edhe me kryetarin aktual të degës, Jeton Biçku, për ta finalizuar vendimin për kandidaturën e tij.
“Po më vjen keq që dega e LDK-së ka rënë mjaft poshtë prej kur e kam lënë unë në vitin 2019. Kryetari aktual, Jeton Biçku, nuk pati sukses, por besoj që kandidatura ime, nëse vendoset, do të sjellë gjallëri dhe rritje të aktivitetit në degë,” u shpreh Surdulli.
Ai tha se nuk ndjen përgjegjësi për gjendjen aktuale në degë, pasi kishte udhëhequr për 19 vite dhe ishte tërhequr për t’i dhënë hapësirë gjeneratës së re. Megjithatë, Surdulli rikujtoi pakënaqësitë që kulmuan në zgjedhjet komunale të vitit 2021, kur, ndonëse qëndrimi zyrtar i degës së LDK-së ishte përkrahja e Qëndron Kastratit në balotazh, ai vetë kishte zgjedhur të mbështesë Kadri Rahimajn, për shkak të mbylljes së disa shkollave nga Kastrati dhe propagandës që ai kishte drejtuar ndaj tij personalisht.
“Besoj që tash do të harmonizohemi dhe të unifikohemi për zgjedhjet që na presin. Pozita e kryetarit të komunës është shumë e rëndësishme edhe për subjektin politik me të cilin garoj,” përfundoi Surdulli. /Kosova.info/
