BE-ja shtyn kundër-tarifat ndaj SHBA-së, shpreson në marrëveshje
Bashkimi Evropian ka vendosur të shtyjë zbatimin e kundër-tarifave ndaj produkteve amerikane, të cilat fillimisht pritej të hynin në fuqi të hënën.
Vendimi është marrë me shpresën që të krijohet hapësirë për vazhdimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, në një kohë kur tensionet tregtare mes dy blloqeve janë shtuar ndjeshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur të dielën se masat hakmarrëse të BE-së do të shtyhen deri në fillim të gushtit. Kjo vjen pas kërcënimeve të reja nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili të shtunën paralajmëroi rritje të tarifave deri në 30 për qind për disa produkte të importuara nga BE-ja, që nga 1 gushti.
“Ka ende shpresë për një marrëveshje”, tha von der Leyen, duke lënë të kuptohet se Brukseli nuk dëshiron ta mbyllë derën për bisedime, pavarësisht qasjes më të ashpër nga Shtëpia e Bardhë.
Sipas planit fillestar, BE-ja kishte përgatitur një paketë kundër-tarifash me vlerë 21 miliardë euro, si përgjigje ndaj rritjes së tarifave amerikane të aplikuara tashmë për disa produkte evropiane. Kjo paketë duhej të hynte në fuqi të hënën.
Megjithatë, sipas burimeve të Reuters, Gjermania dhe disa shtete të tjera anëtare kanë kundërshtuar këtë hap në votimet gjatë fundjavës, duke argumentuar se zbatimi i menjëhershëm i kundër-masave mund të dëmtojë procesin e negociatave me Uashingtonin.
Në anën tjetër, disa zëra brenda institucioneve evropiane janë shprehur kundër shtyrjes së tarifave. Kryetari i Komitetit për Tregti në Parlamentin Evropian, Bernd Lange nga Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD), ka deklaruar për Reuters se paketa e BE-së duhej të zbatohej menjëherë, duke theksuar nevojën për një qëndrim të fortë dhe të vendosur përballë veprimeve të SHBA-së.
Aktualisht, palët ndodhen në një fazë të ndjeshme negociatash, me rrezikun që tensionet tregtare të thellohen në mungesë të kompromisit. BE-ja shpreson që deri në fillim të gushtit të gjendet një zgjidhje diplomatike, për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit tregtar mes dy ekonomive më të mëdha perëndimore.
