Pas bllokadës: a jemi gati për rimëkëmbje të vërtetë?

Shkruan; Shenoll MUHARrEMI

Bllokada kalon, nuk mundet me zgjatë përgjithmonë. Deri tash, ka kalu ma e keqja ndoshta. Brutale, me kosto dramatike politike, ekonomike, sociale dhe njerëzore. Gjithashtu shumë mësime.

Ndoshta është një proces i pashmangshëm në ciklin afatgjatë të përparimit. Asgjë nuk shkon vetëm duke përparua. E Kosova ka përparua jashtëzakonisht shumë dekadat e fundit, më shumë se shumë shekuj më herët. Ndoshta ky korrektim ka qenë i pashmangshëm se sistemi ishte vjetërsuar e lodhur dhe është nevojit një urë eksperimentale për tranzicion nga një fazë në fazën tjetër.

Po çka pastaj, çka kemi me bë ne si shoqëri, një ditë pas bllokadës? Më së largu bllokada zgjidhet me zgjedhje të jashtëzakonshme. E aty, LVV, me shumë gjasë, e merr ndëshkimin e merituar për këtë periudhë të bllokadës, por edhe për shumë dështime në qeverisje vitet e fundit.

Ndërkohë, i kemi disa situata gogja emergjente: energjia, deficiti tregtar astronomik, rritja e inflacionit dhe çmimeve, sektori privat dhe ekonomia. Arsimi. Këto kriza tashmë strukturore kërkojnë zgjidhje të mira dhe të qëndrueshme. Duhet me gjet mënyra me i kthye në mundësi këto, secila krizë hapë një dritare të re.

Veprimi më kryesor dhe urgjent është investimi në kapacitete të reja të energjisë, se ndryshe nuk kalon kriza e energjisë përderisa varemi nga importi e tregtarët.

Na duhen fillimisht rreth 500 MW urgjent automatikisht me dalë prej krizës së thellë, e pastaj me shikua për kapacitete tjera, për shkak se me e fuqizua ekonominë në kohën e teknologjisë e AI duhet shumë më tepër energji sesa për drita e disa fabrika. Kështu që pakoja e ngritjes së kapaciteteve për Kosovën shkon deri në 2 GW shtesë brenda një dekade. Ky duhet me qenë synimi ynë.

Bizneset tona kanë nevojë urgjente për kujdesin tonë. Ato duhet me qenë shumë të privilegjuara. Pa biznese të forta e mëdha, s’ka ekonomi. Deri tash është punu krejt mbrapsht, janë margjinalizu, janë sulmua e janë goditur më së ulëti e mundshme. Ndoshta për atë vetëm vitin e kaluar janë larguar rreth 37,000 persona nga Kosova (kryesisht te ri ne moshë).

Menjëherë duhet me u kthye fokusi tek përkrahja e bizneseve. D.m.th. duhet njëherë e përgjithmonë me i dënua ashpër sulmet që ju janë bë padrejtësisht dhe me ndërrua drejtimin tek përkrahjet e fuqishme, zhvillimi i programeve të shumta investimesh, që me synua me i çu në qiell bizneset tona vendore me mbështetje të pakursyer.

D.m.th. na duhet me rimodelua metodën e investimeve dhe qeverisjes. Krejt fokusi duhet me shkua tek bizneset. Nuk ka prioritet më të lartë aktualisht se kjo. Kosova nuk mundet as me pas mbrojt e as siguri kombëtare pa ekonomi. Sot vendet kontrollohen më së shumti me ekonomi, apo më së lehti kontrollohen e manipulohen vendet e varfra.

Fjala është për programe serioze deri në 10 miliardë euro investime publike për disa vite, e me këto duhet me synu së paku aq me i ngritë (por edhe më shumë) nga sektori privat. Pra një ndryshim total i lojës, ku biznesi, nga një gjendje shumë e margjinalizuar me qeverinë aktuale, me u sjellë në qendër të vëmendjes.

Ky ndryshim i zgjidh disa telashe me një guri. E fuqizon sektorin privat. Rriten dhe shumohen bizneset tona. Ulet importi dhe sidomos deficiti… Secila 1 miliardë që ulet nga deficiti, nënkupton rreth 20% rritje të ekonomisë. Aktualisht, deficiti tregtar në mallra mundet me shkua afër 6 miliardë këtë vit.

Për atë Kosova ka llogari me investu me miliarda tek bizneset se kthimi i qëndrueshëm do dobitë janë maksimale. Pra këtë problem kronik të madh duhet me e kthye në mundësi për ekonominë dhe bizneset tona.

Inflacionin duhet me e kontrollua jashtëzakonisht me kujdes të lartë. Sa të duash investo, por nëse ke një ambient inflacionar, ti vetëm po e shkatërron ekonominë. Fuqia blerëse vitet e fundit është shkatërruar. Familjet janë gjunjëzuar se me mjetet që kanë tashmë blejnë shumë më pak, si na ndodhë të gjithëve, pa dallim. Inflacioni e rritë presionin tek bizneset vendore, i rritë kostot operative dhe e bastardizon ekonominë. Tepër e rrezikshme, kancer i ekonomisë.

Tash e kemi rastin që përsëri inflacioni është rritur shumë nga pakujdesia dhe vendimet e gabuara në energji dhe ekonomi. Në qershor, dy-tri herë nga niveli i janarit. Ne as investime nuk mundemi me fillua me një shkallë të lartë të inflacionit, se vetëm e ushqejmë inflacionin me rritje të kërkesës në treg. Pra ky segment, i cili qe pesë vite nuk është menaxhua aspak, duhet të kthehet nën kontroll menjëherë.

E pas emergjencave, ne duhet me përmirësua arsimin dhe me gjet identitetin e ekonomisë tonë. Energjia, prodhimi dhe adresimi i deficitit tregtar kronik janë vetëm baza e ekonomisë. D.m.th. kur e kthen pacientin nga një fazë e rrezikut për jetë, në një gjendje të pranueshme pa shumë rreziqe.

Kosova, pasi që stabilizohet me masat emergjente, duhet me investua shumë në Arsim, AI dhe Teknologji. Ne nuk kemi asnjë resurs serioz fizik që me bazua ekonominë tonë. Linjiti ka me na u nevojittë për energji, e energjia duhet me u transformua nga një mjet katastrofe për ekonominë dhe shtetin, në një mundësi për zhvillim dhe rritje cilësore të ekonomisë.

E për me krijua identitetin dhe ekonominë e vet, Kosova duhet me u fokusua në shërbimet e ICT dhe AI (sidomos AI), e cila është në fazën e hershme globalisht. Kjo mundet me sjellë shumë dobi të mëdha afatgjata dhe me i ndihmua Kosovës me krijua ekonomi dhe resurse të nevojshme që nevojiten për me ble mbrojtje dhe me përmirësua sigurinë kombëtare.

Me fjalë tjera, ekonomia është kryesore, jo narrativi i zbrazët nacionalist e patriotik që po sjellë rritje të çmimeve, inflacion e më shumë varfëri. Emigrim. Pra i kemi fazën e intervenimeve dhe investimeve emergjente apo shuarjen e zjarreve aktuale në sektorët e energjisë dhe deficitit (prodhim e biznese).

E pastaj fazën e dytë të investimeve strukturore cilësore afatgjata në arsim, teknologji dhe AI, e që do na mundësojnë me krijua identitet të ri ekonomik, do e përmirësojnë mirëqenien dhe përmirësojnë imazhin… mbi të gjitha, do sigurojnë resurse (nga ekonomia) për me siguru infrastrukturë dhe armatim për mbrojtje dhe siguri kombëtare.

Këto mund të jenë prioritetet dhe mundësitë pas zhbllokimit të krizës më të madhe politike në të cilën gjendemi.

E për këto duhet të përgatitemi menjëherë nuk kemi nevojë me pritë edhe disa javë e muaj. Duhet menjëherë të e kemi të qartë si kanë me u arrit këto transformime e ndryshime pozitive. Tashmë problemet i kemi të identifikuara vetëm duhet me i zhvillu konceptet e transformimit për secilin problem.


Go to TOP