KMDLNj: Përgjegjësia për rastin Agon Zejnullahu duhet të jetë individuale, jo e përgjithësuar
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me rastin tragjik të Agon Zejnullahut në Lipjan duke theksuar domosdoshmërinë që përgjegjësia të trajtohet në mënyrë të drejtë, individuale dhe ligjore. Sipas KMDLNj, vdekja e Zejnullahut ka shkaktuar me të drejtë pakënaqësi të thellë dhe indinjatë publike, por thekson se reagimet emocionale nuk duhet të zëvendësojnë drejtësinë dhe procedurat ligjore.
Fillimisht, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) kishte suspenduar pesë policë të përfshirë në rast, për të cilët më pas u caktua masa e paraburgimit. KMDLNj vlerëson se ky vendim duket të jetë ndikuar nga reagimi i opinionit publik dhe presioni mediatik. “Nëse nisemi nga parimi se përgjegjësia është personale, incizimet tregojnë qartë kush mban përgjegjësi konkrete për këtë përfundim tragjik,” thuhet në reagimin e Këshillit.
KMDLNj përmend edhe raste të tjera shqetësuese që kanë ndodhur në Therandë dhe Klinë, ku janë evidentuar shkelje serioze të të drejtave të të ndaluarve. Në Therandë, një person i privuar nga liria ka kryer vetëvrasje në rrethana të paqarta, ndërsa në Klinë një qytetar i prangosur është keqtrajtuar ndonëse nuk paraqiste rrezik. Në të gjitha këto raste, KMDLNj ka kërkuar hetime të plota dhe respektim të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Këshilli vlerëson lartë rolin e mediave në zbulimin e këtyre rasteve, por paralajmëron kundër instrumentalizimit të tyre për përfitime politike apo publicitet personal. “Përgjegjësia ligjore përcaktohet vetëm pas hetimeve të plota dhe vendimit përfundimtar të gjykatës,” thekson KMDLNj duke shtuar se çdo ndërhyrje paragjykuese vetëm sa dëmton procesin.
KMDLNj gjithashtu rikujton se Policia e Kosovës ka kontribuar ndjeshëm në ndërtimin e sigurisë publike, pavarësisht sfidave, dhe nuk duhet të gjeneralizohet përgjegjësia për rastet individuale. Në këtë drejtim, KMDLNj e konsideron të papranueshme etiketimin e policisë si “dhunuese”, kur në fakt shumica e zyrtarëve kanë vepruar me profesionalizëm.
Përgjegjësia politike, sipas KMDLNj, bie plotësisht mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa përgjegjësia institucionale duhet të merret nga zinxhiri komandues dhe mekanizmat mbikëqyrës. Ndërkohë, për shkeljet në paraburgim apo në qendrat korrektuese, përgjegjësia i takon Shërbimit Korrektues dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Në fund, KMDLNj i bën thirrje Policisë së Kosovës të ruajë pavarësinë dhe profesionalizmin duke mos u ndikuar nga urdhrat politikë, dhe gjyqësorit që të mos marrë vendime nën presion publik apo politik duke garantuar hetime dhe procese gjyqësore të drejta. Këshilli përmend edhe praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila ka kërkuar anulimin e vendimeve të marra nën presionin e opinionit publik – një praktikë që, sipas KMDLNj, po shndërrohet në standard në Kosovë. /Kosova.info/
