Rasti i Agon Zejnullahut nxit debat për aftësitë e zyrtarëve policorë

Vdekja e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan ka nxitur debat në opinion publik lidhur me profesionalizmin dhe trajnimet e Policisë së Kosovës në situata të ndjeshme. Ndërsa disa njohës të sigurisë vlerësojnë se ndërhyrja e policisë në këtë rast ka qenë adekuate, të tjerë ngrenë dyshime për tejkalim të kompetencave dhe mungesë përgatitjeje në menaxhimin e rasteve të ndërlikuara.

“Po të mos kishte vdekur i ndjeri, unë shumë besoj që edhe këto mediet që po e kritikojnë rastin, Policinë e Kosovës do ta trajtonin si një veprim profesional. Policia e Kosovës ka vepruar në mënyrë profesionale sepse është neutralizuar një person i rrezikshëm”, tha Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë.

Ndërkaq Bedri Elezi, njohës i sigurisë tha se fakti që Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë ndërrmarë veprime konkrete për t’i vendosur para përgjegjësisë zyrtarët policor do të thotë se kemi tejkalim të autorizimit të zyrtarëve policor.

Këto diskutime janë intensifikuar edhe pas publikimit të një videoje ku një qytetar i prangosur shihej duke u goditur nga policia në Klinë. Kjo ka ringjallur shqetësimet për mungesë të trajnimeve të thelluara të zyrtarëve policorë. Dikur, trajnimi bazik për rekrutët e rinj në Policinë e Kosovës zgjaste 6 muaj. Por në gjeneratat e fundit, ky trajnim është shkurtuar në vetëm 3 muaj, gjë që, sipas ekspertëve, mund të ndikojë në cilësinë e reagimeve në terren.

“Propozoj institucionet përkatëse mandatare që nga këto rastet që po ndodhin, t’i kushtojnë vëmendje më shumë trajnimit të policisë, edukimit permanent të tyre”, ka theksuar Fatmir Çollaku, njohës i sigurisë.

Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti, thotë se Policia e Kosovës ndjek trajnimet bazike dhe të avancuara, në përputhje me praktikat më të mira të shteteve demokratike. Ai thekson se çdo zyrtar është i detyruar të kryejë 40 orë trajnim profesional në vit. “Trajnimi për ricertifikim është i detyrueshëm për çdo punonjës policie që mban pajisje policore, dhe duhet ta përfundojë këtë trajnim 3-ditor brenda 12 muajve, ose më së largu deri në 18 muaj. Deri më tani, ka qenë një ndër policitë më demokratike dhe më të suksesshme në vend, me besueshmëri të lartë nga qytetarët. Po ashtu, konsiderohet si një ndër policitë më të suksesshme dhe më pak të korruptuara në rajon”, tha ai.

Në lidhje me rastin në Lipjan si dhe trajnimet e policisë, RTK ka kërkuar një qëndrim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës e Akademia e Kosovës për Siguri. Nga MPB thanë se pyetjet duhet të drejtohen në polici e Akademinë për Siguri, por ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Go to TOP